Këto deklarata, ai i bëri në një konferencë për media në margjina të Samitit të NATO-s që po mbahet në Hagë.
Trump u pyet mbi presidentin rus, Vladimir Putin dhe shqetësimet se ai ka ambicie territoriale përtej Ukrainës.
Trump u shpreh se një gjë e tillë “është e mundur”, derisa vijoi t’i përmendte konfliktet që sipas tij, tashmë janë zgjidhur.
“E mundur, është e mundur. E di një gjë, ai do të dëshironte të zgjidhej. Do të dëshironte që të dilte nga kjo gjë, është një rrëmujë për të. Ai thirri, tha a mund t’ju ndihmojmë me Iranin? I thash jo, mund të më ndihmoni me Rusinë. Në javët e fundit në u kujdesëm për Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë, Kongo po vjen, Rwanda po vjen. Kjo ishte një luftë e madhe… kokë të prera në të gjithë Afrikën. Askush nuk ka bërë kurrë diçka të ngjashme. E konsideroj atë një person që mendoj se është drejtuar gabimisht. Jam shumë i befasuar. Mendova që këtë do ta zgjidhnim”, u shpreh Trump në konferencë.
Tutje, Trump shtoi se mendon që do të zgjidhet edhe situata në konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Ai tha se do të dëshironte të na ndihmonte për një zgjidhje, dhe unë i thash jo jo, më ndihmo të bëj një zgjidhje me ty, me Rusinë, dhe mendoj që do ta bëjmë këtë” – tha presidenti amerikan.
Theksojmë se deklarata të ngjashme, presidenti amerikan bëri edhe gjatë kësaj fundjave. Kur përmendi Kosovën e Serbinë, ai tha se “e sollën edhe këtë në një përfundim”.
“Siç e dini kemi bërë një punë shumë të mirë me Indinë dhe Pakistanin, duket se do të bëjmë marrëveshje tregtie me Indinë dhe Pakistanin. Është një gjë e mirë ta shohësh. Njëjtë edhe me Kosovën e Serbinë, kanë luftuar për vite, dhe si e dini e sollëm edhe atë në një përfundim”, shtoi ai.
© SYRI.net