Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer sot me sukses në operim, pas përfundimit të një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme teknike. Rreth orës 10:03 të mëngjesit të 23 qershorit, njësia u sinkronizua me rrjetin elektroenergjetik të vendit.
Sipas KEK-ut, punimet përfshinë sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse dhe ekonomajzer, pastrimin e sistemeve të ftohjes dhe kondenzimit, si dhe mirëmbajtjen e pajisjeve kyçe, të cilat ishin të domosdoshme për rikthimin në funksionim të sigurt dhe efikas.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK, Gramos Hashani, ka falënderuar punonjësit për angazhimin edhe gjatë ditëve të pushimit, duke theksuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në garantimin e qëndrueshmërisë energjetike.
KEK sqaroi se gjatë startimit të njësisë – një proces teknikisht i domosdoshëm që zgjat disa orë – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve, për shkak të kalimit nga djegia me naftë në atë me linjit. Kjo është një dukuri normale në të gjitha termocentralet e këtij lloji.
Në orën 11:07, sipas KEK, njësia A5 tashmë ishte stabilizuar dhe tymi ishte zhdukur, konfirmim i përfundimit të fazës së startimit.
KEK mbetet e përkushtuar për një menaxhim të përgjegjshëm dhe mirëmbajtje të rregullt, për të garantuar furnizim stabil dhe të sigurt me energji elektrike për qytetarët.
© SYRI.net