Një tjetër goditje ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike u shënua në kryeqytet, ku në flagrancë u kapën 5 shtetas të përfshirë në një tentativë për shitje droge.
Operacioni i koduar “Valiasi”, i zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga burime operative, çoi në ndalimin e dy automjeteve në zonën e Valiasit: një Audi, ku ndodheshin Alban Prendi, 25 vjeç dhe Erjan Përlleshi, 26 vjeç, dhe një Jaguar që i ndiqte nga pas, me drejtues Egzon Buzalli, 23 vjeç dhe pasagjerë vëllezërit Elsad Germaj, 22 vjeç dhe Shaban Nikolli (Germaj), 20 vjeç.
Në automjetin e parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 pako me lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa, me peshë totale 5.3 kg, që dyshohet se po transportoheshin për shitje. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, personat në mjetin e dytë tentuan të largoheshin, por u ndaluan menjëherë nga forcat e rendit.
Të arrestuarit janë shtetasi Alban Prendi, 25 vjeç, akuzohet për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Erjan Perlleshi, 26 vjeç; Elsad Germaj, 22 vjeç; Shaban Nikolli(Germaj), 20 vjeç dhe Egzon Buzalli, 23 vjeç, akuzohen për “Moskallëzimi i krimit”
Gjatë operacionit u sekuestruan 5.3 kg Cannabis Sativa, 2 automjete (Audi dhe Jaguar) dhe 5 telefona celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar lidhjet e mundshme të këtij grupi me rrjete të tjera të shpërndarjes së drogës në kryeqytet dhe më gjerë.
© SYRI.net