Një incident me zjarr ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Prishtinë, ku tri automjete janë përfshirë nga flakët. Fillimisht ishte raportuar për një veturë të djegur, por me të arritur në vendin e ngjarjes, zjarrfikësit kanë hasur tri vetura të përfshira nga zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në kryeqytet, Samed Shkodra.
“Zjarrfikësit kanë pranuar informacionin se është djegur një veturë, mirëpo kur kanë arritur në vendin e ngjarjes, kanë qenë të përfshira tri vetura”, deklaroi Shkodra.
Sipas tij, dyshohet se automjetet e tjera janë përfshirë nga zjarri si pasojë e përhapjes së flakëve nga vetura e parë që mori flakë.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar në këtë incident, por janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturat e përfshira.
“Zjarrfikësit tashmë janë kthyer nga intervenimi dhe çdo gjë është përfunduar. Nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale”, shtoi Shkodra.
Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten ende të panjohura dhe pritet që autoritetet të nisin hetimet për rrethanat e ngjarjes.
© SYRI.net