Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se operimi i njësive prodhuese vazhdon normalisht dhe se nuk ka ndonjë kolaps prodhimi, pavarësisht disa defekteve teknike të hasura së fundmi në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Në njoftimin zyrtar, KEK ka bërë të ditur se njësia A3 është rikthyer në funksion të rregullt, ndërsa rikthimi i njësisë B1 parashihet të ndodhë brenda 48 orëve. Ndërkohë, po punohet edhe për rikthimin e njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim.
KEK sqaroi se mungesa e nominimit për furnizim me energji ditën e djeshme ishte pasojë e pasigurisë teknike, veçanërisht për shkak të vështirësive me njësinë A3, e cila sot është rikthyer në operim falë reagimit të shpejtë dhe profesional të ekipeve teknike.
Sa i përket njësisë B1, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë më 21 qershor në orët e para të mëngjesit, për të shmangur rrezikun e ndonjë avarie më serioze. Problemet aktuale lidhen me rrjedhje të avullit dhe ujit në kaldajë, si dhe me sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik.
KEK siguron se është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për riparimin e defekteve dhe rikthimin e plotë të njësisë B1 brenda afatit të paraparë.
“KEK mbetet e përkushtuar për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji për vendin dhe do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim”, përfundon njoftimi.
© SYRI.net