‘Drejtësia është në dorën e pushtetit’/ Beleri: Hetoni lidhjen mes Agasit dhe Irena Gjokës, komandonte gjyqësorin...

18:34, 19/06/2025

Eurodeputeti Fredi Beleri ka hedhur dritë mbi lidhje të dyshuara mes botës së krimit, drejtësisë dhe pushtetit në Shqipëri, duke përmendur konkretisht lidhjen mes biznesmenit Ergys Agasi dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Në emisionin ‘Task Forcë’, në Syri TV, Beleri u shpreh se, Agasi, një figurë e njohur për afërsinë me kryeministrin dhe ndikimin e tij në institucionet kyçe, ka qenë njeriu që “komandonte gjyqësorin” dhe mbronte gjyqtaren Gjoka, duke mbajtur kështu nën kontroll vendimmarrjen gjyqësore dhe proceset zgjedhore.

Beleri e përshkroi situatën si dramatike, duke e akuzuar drejtësinë shqiptare si “dorë e zgjatur e pushtetit”, dhe zgjedhjet e 11 majit si një proces të vdekur që “vrau demokracinë”.

Fredi Beleri: U mundova sot t’u shpjegoj kolegëve të mi evropianë sesi është situata reale në Shqipëri dhe çfarë ndodhi në zgjedhjet e 11 majit. U tha se në çdo qark, krimi i organizuar ka përfaqësues të tij.

Unë e di që shumë shikues tani thonë për mua por dhe për deputetët e opozitës që ishin atje, që ne i bëjmë keq Shqipërisë. Unë besoj se më mirë të jemi të dobishëm dhe të vërtetë, sesa ti mbulojmë këto fakte dhe Shqipëria të vejë drejt greminës dhe të mos shkojë drejt Evropës.

Pra, kam zgjedhur të jem i dobishëm dhe të them të vërtetat e mia, duke bërë edhe pse shumë njerëz tani për tani mendojnë se ne po i bëjmë keq, por nuk është e vërtetë. Duhet të pastrohet. Populli shqiptar ka jetuar 45 vjet diktatori dhe nuk do një diktatori të re. Unë i ftoj gazetarët të investigojnë se cilët janë lidhjet e zotit Agasi me gjyqtaren Gjoka.

Ishte një nga faktorët që komandonte gjyqësorin, komandonte zgjedhjet, ishte një njeri shumë afër kryeministrit i cili ka ikur në drejtim të paditur,

Unë nuk kam çfarë them më shumë, por ishte ai që mbronte zonjën Gjoka, ishte njeriu që mbante zonjën Gjoka në sistem.

Nuk funksionon ndarja e pushteteve. Drejtësia në vendin tonë, është dora e zgjatur e pushtetit. Kjo nuk mund të ketë zgjedhje, kjo vrau zgjedhjet, vrau demokracinë. Nuk është puna se zgjedhjet mund të ishin ndryshe. S’ka si të ishte ndryshe, zgjedhjet janë të kapura. Kemi përpara punë të madhe për të sqaruar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco