I ftuar në emisionin Task Force në Syri TV me moderatoren Sonila Meço, gazetari Elkier Bushkolaj foli në lidhje me biznesmenin Ergys Agasin, duke komentuar se ai mund të ndodhet në Dubai, një destinacion që sipas tij ka shërbyer si strehë për figura të botës së krimit shqiptar.
Bushkolaj theksoi se Agasi është denoncuar si i lidhur me krimin nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe lideri i opozitës Sali Berisha, ndërsa nënvizoi edhe rolin e tij të dyshuar në aktivitetet kriminale që përfshijnë pastrimin e parave, veçanërisht në zonat Durrës, Elbasan dhe Tiranë. Ai përmendi gjithashtu zhvillimet e fundit rreth projektit të stadiumit të Durrësit, duke ngritur pikëpyetje mbi investitorët e përfshirë.
“Atëherë, përsa i përket vendndodhjes së tij, dyshohet se është në Dubai. Duhet të kemi parasysh që Dubai, vitet e fundit, ka qenë një strehë për personazhet e krimit shqiptar. Pjesa më e madhe e tyre i kanë shpëtuar të gjitha operacioneve të SPAK-ut, operacione të iniciuara nga ndërkombëtarët pas zbërthimit të SKY ECC. Duhet të pranojmë edhe faktin tjetër që vitet e fundit nga Dubai janë ekstraduar disa personazhe të botës së krimit, që do të thotë se edhe kjo strehë nuk është më e sigurt. Ndërkohë, përsa i përket profilit të Ergys Agasit, është i denoncuar vetë nga Arben Ahmetaj, është denoncuar vetë nga zoti Berisha për lidhjet e tij në raport me botën e krimit, veçanërisht në trekëndëshin mes Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës. Kuptohet që është aktiviteti më i madh në vend, veçanërisht me atë që lidhet me pastrimin e parave. Nuk ka shumë që Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim edhe për çështjen e stadiumit të Durrësit, për ndryshimin e pronësisë. Aty pritet të bëhet një kompleks i madh ndërtimi dhe duhet të kuptojmë kush janë investitorët.” – tha Bushkolaj.
© SYRI.net