Nga Donjecku në veri të Kosovës: A po shndërrohet Kosova në precedent për ndarjen e shteteve?

Nga Donjecku në veri të Kosovës: A po shndërrohet Kosova në precedent për ndarjen e shteteve?

16:19, 19/06/2025

Deklarata e presidentit rus Vladimir Putin, më 19 qershor 2025 në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, ku ai tha se “DPR (Donjecku) dhe LPR (Luhansku) kishin të drejtë të shkëputeshin nga Ukraina pa lejen e Kievit, bazuar në precedentin e Kosovës”, ka ngjallur shqetësim për implikimet që kjo mund të ketë për stabilitetin në Ballkan, veçanërisht për Kosovën.

Sipas një analize të Institutit Octopus, kjo deklaratë përbën një instrument presioni diplomatik ndaj Perëndimit, por njëkohësisht edhe një sinjal i rrezikshëm për të ardhmen e veriut të Kosovës.

Putini nuk e njeh Kosovën formalisht, por e përdor rastin e saj si justifikim për të legjitimuar shkëputjen e rajoneve pro-ruse nga Ukraina. Ai i referohet vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën në vitin 2010, por e interpreton atë sipërfaqësisht dhe jashtë kontekstit: GJND-ja nuk krijoi precedent të përgjithshëm, por e trajtoi rastin e Kosovës si “sui generis”.

Octopus vë në dukje se ky përdorim cinik i rastit të Kosovës mund të jetë një ofertë e fshehur për Ukrainën: prano ndarjen e territoreve në këmbim të paqes, në të njëjtën mënyrë siç Perëndimi “pranoi” Kosovën.

Njëkohësisht, kjo logjikë i hap rrugë një skenari të ndarjes së veriut të Kosovës, përmes një modeli që ndjek hapat e Donjeckut dhe Luhanskut: destabilizim civil, krijim strukturash paralele, dhe në fund, kërkesë për bashkim me Serbinë.

Analiza paralajmëron edhe për pasojat që ky precedent mund të ketë në Luginën e Preshevës. Nëse hapet diskutimi për ndarje të Kosovës, Serbia mund të përshpejtojë procesin e diskriminimit dhe spastrimit administrativ të shqiptarëve në atë zonë, për të krijuar “realitete të reja” që i shërbejnë agjendës së ndarjes etnike.

Sipas Octopus Institute, Kosova nuk ka luksin të jetë spektatore. Ajo duhet të reagojë fuqishëm ndaj çdo përpjekjeje për të përdorur rastin e saj si justifikim për agresione të reja apo për ndarje të imponuara në emër të stabilitetit.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco