Kanë kaluar më shumë se dy muaj që Albin Kurti po ushtron njëkohësisht dy pozita të rëndësishme shtetërore: atë të kryeministrit në detyrë dhe pozitën e deputetit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Njohës të sistemit juridik dhe kushtetues në vend e cilësojnë këtë situatë si tërësisht joligjore. Madje, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, çdo vendim i marrë nga Kurti pas datës së certifikimit si deputet rrezikon të hidhet poshtë nga Kushtetuesja, sapo të sfidohet formalisht.
“Nëse dërgohet në Gjykatën Kushtetuese marrja e vendimeve nga Albin Kurti dhe kabineti i tij, pa asnjë diskutim është shkelje kushtetuese. Bazuar në precedentët e mëparshëm, të gjitha vendimet bien poshtë. Derisa nuk sfidohen, ato prezumohen si kushtetuese, por në momentin që dikush i çon në Kushtetuese, ato janë të jashtëligjshme dhe rrëzohen,” u shpreh Hasani për Klan Kosova.
Sipas tij, pavarësisht mungesës së ndonjë akti sfidues deri tani, vendimet e qeverisë në këtë periudhë nuk kanë bazë ligjore dhe kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e veprimeve të ekzekutivit.
© SYRI.net