'Hamasi është drejt fundit'/ Aktivistja shqiptare: Irani bombardon vazhdimisht, Izraeli synon shuarjen e kërcënimit iranian

10:27, 17/06/2025

E ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", Ita Gani, shqiptarja që jeton në Izrael, u shpreh se situata në vend mbetet kritike, me bombardime të vazhdueshme nga Irani dhe një atmosferë të vazhdueshme lufte.

Ajo theksoi se qetësia mungon prej ditësh, ndërsa qytetarët përpiqen të ruajnë moralin përballë frikës dhe pasigurisë.

Sipas Ganit, Hamasi është drejt fundit dhe nuk ka më kapacitet për sulme, ndërsa Izraeli po vazhdon fushatën e tij ushtarake për të çrrënjosur kërcënimin iranian, të cilin ajo e cilëson si burimin kryesor të destabilitetit në rajon.

Deklarata:

Rreth një orë më parë kemi pasur bombardime nga Irani. Në fakt, ato kanë vazhduar gjatë gjithë kohës, që në agim. Ende nuk ka qetësi. Nuk janë vetëm sulmet nga Irani, por ne e ndiejmë se jemi realisht në një atmosferë lufte. Gjatë gjithë kohës dëgjojmë fluturime avionësh dhe zhurma bombash që shpërthejnë. Jemi në një gjendje të vërtetë lufte dhe mundohemi të qëndrojmë të fortë në këtë realitet, për të mbajtur moralin dhe për të mos lejuar që e keqja të na mposhtë.

Nga Gaza, për momentin, nuk ka më bombardime, pasi është e qartë që Hamasi është i dobësuar dhe ndodhet në fundin e tij ashtu si edhe Hezbollah-u. Nuk kemi më sulme nga këto dy grupe, por Izraeli po vazhdon programin e tij ushtarak. Hamasi ende mban pengje dhe nuk i dorëzon. Jam e sigurt që, në momentin që ato dorëzohen, kjo luftë në Gaza do të përfundojë.

Se cilat janë synimet e Hamasit deri në fund dhe çfarë forme do të marrë përballja me Izraelin, këtë do ta tregojë koha. Sepse, siç e shihni edhe ju dhe siç raportohet në media të ndryshme Izraeli nuk është një kundërshtar i lehtë.

Izraeli po ndjek një program të qartë edhe ndaj Iranit, pasi Irani është çelësi i të gjitha luftrave kundër Izraelit dhe mbështetësi kryesor i vendeve apo grupeve që na sulmojnë. Kësaj here, duket se Izraeli synon seriozisht të shuajë kërcënimin iranian, i cili ka si qëllim final shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Për mua, ky është një qëllim i kotë por sigurisht, për ta arritur këtë siguri, duhet durim dhe, për fat të keq, edhe vuajtje.

Nuk është e lehtë, por ajo që është më e rëndësishmja për ne, është të çlirohemi një herë e përgjithmonë nga ky armik kërcënues, shkatërrues dhe i dhunshëm që të mund të kemi një jetë të qetë, jo vetëm ne, por edhe Lindja e Mesme dhe e gjithë bota.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco