‘I kemi kërkuar LDK-së të bashkëpunojmë për koalicion...’/ Gërvalla: Kosova s’ka nevojë për tranzicion...

22:38, 16/06/2025

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin ‘Çim Peka Live’ në SYRI TV, ka theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave institucionale dhe parimeve të qarta politike në procesin e formimit të qeverisë së re. Sipas saj, çdo diskutim i parakohshëm publik mbi negociatat për qeverinë do të komprometonte seriozitetin e këtij procesi dhe do të çonte në një qeveri problematike.

Gërvalla nënvizoi se konstituimi i Kuvendit është një hap pa alternativë dhe nuk duhet të përdoret si instrument për pazare politike. Ajo kritikoi kërkesën e Fatmir Limajt për postin e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se përfaqësimi me vetëm tre deputetë nuk justifikon një pretendim të tillë. Në të njëjtën kohë, ministrja Gërvalla u shpreh se janë të hapur për bashkëpunim me çdo forcë që sjell ide konstruktive, por jo në kurriz të parimeve dhe integritetit institucional. Përgjigjja e LDK-së për një “qeveri tranzicioni” u cilësua prej saj si qesharake dhe anakronike, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe qeverisje të qëndrueshme, jo për kthim pas në modelet e së kaluarës.

Donika Gërvalla: Po të fillojmë të flasim në televizion për negociatat që zhvillojmë për formimin e qeverisë së ardhshme, atëherë të jeni i sigurt që qeveria e ardhshme do të jetë shumë problematike. Ne duhet ti shkojmë hapat një e nga një. Të konstituojmë Kuvendin edhe me bindje e them që konstituimi i Kuvendit është pa alternativë.

Është e vërtetë që zoti Fatmir Limaj e ka kërkuar që të jetë kryetar i Kuvendit dhe është e vërtetë që në grupin tonë parlamentar nuk ka patur pajtim për një kërkesë të tillë, sepse konsiderojmë që një parti që ka fituar tre deputetë në koalicion me një parti tjetër nuk e ka të drejtën morale të kërkojë kryetarin e kuvendit i cili është personi i i dytë në shtetin tonë për nga rëndësia protokollare. Ne jemi shumë të gatshëm për bashkëpunim me këdo që vjen me ide konstruktive – parimore për shtetin tonë, mirëpo nuk i tejkalojmë disa parime që gjithë këtë konstituim dhe parim nuk e kthejnë në një proces politik dhe në një Pazar. Dhe ne pazare e kemi thënë që në fillim që nuk bëjmë.

Ju e dini shumë mirë që tjetër gjë është fushata elektorale dhe tjetër është situata që ndodhemi tani. Qytetari i Kosovës ka vendosur që koalicioni i koalicioni qeveritar të kërkojë partneritet për koalicion. Prandaj ne kemi marrë 42% dhe ne duke respektuar vullnetin e qytetarit të Kosovës, duhet të kërkojmë partneritet.

Jemi afruar Lidhjes Demokratike të Kosovës, 3 kërkesa i kanë shkuar deri më tani. Dy të parat për bisedë të lirë ër të parë se ku është hapësira për bashkëpunim. E treta ka qenë më konkrete, ka qenë një kërkesë për bashkëpunim si koalicion qeveritar. Përgjigja që ka ardhur nga LDK e Kosovës ka qenë qesharake, kërkoi një qeveri tranzicioni sikur duan të na kthejnë në kohën e pas luftës, në kohën e armikut dhe tranzicion. Kosova nuk ka nevojë për tranzicion, momentalisht e ka një qeveri tranzicionale e cila është qeveria në detyrë. Ndaj, përgjigje të tilla janë jo serioze dhe tregojnë që mungon sensi për bashkëpunim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco