Në rrëfimin e tij të drejtpërdrejtë dhe të ngarkuar emocionalisht, Demir Pojani, një nga ish-të dënuarit politikë në Spaç, rikthen në vëmendje përvojën tronditëse të jetës në burg dhe revoltën e 23 majit 1973. Nga oborri i kampit famëkeq, ai i drejtohet publikut dhe institucioneve me një apel të qartë: “këtu është vuajtur dhe në këto ofshama nuk ka vend për sarkazëm”.
Pojani përshkruan me detaje se si të burgosurit trajtoheshin mizorisht, çfarë ushqimesh jepeshin dhe si kushtet ishin të pamundura për jetesë njerëzore:
“Këtu ata na kanë ushqyer ne me krimba, me makarona. Birucat i kishin marrë në Pukë te disa kapanone punëtorësh me çimka. Na fusnin atje të na hanin çimkat. Nuk ngopeshin të na hanin të gjallë ca përbindësha, ca që na çuan deri aty që të bërtasim në '73 në muajin Maj, poshtë komunizmi.”
Ai ndalet në një nga momentet më të rënda të rebelimit ndaj regjimit, që sot është kthyer në simbol të qëndresës:
“Më 23 Maj kur Enver Hoxha bluante kocka robi të thoshe poshtë Enver Hoxha, poshtë komunizmi rroftë Europa, e duam Shqipërinë si gjithë Europa ka qenë gjë e tmerrshme. Në një trysni dhune ne thamë: ja të vdesim, ja të shpëtojmë se liri nuk kishte. Batalionet e kishin rrethuar vendin. Armata e Burrelit 5000 ushtarë e rrethuan vendin.”
Sipas tij, ndërkombëtarët ndërhynë për të shpëtuar jetët e atyre që kishin guxuar të ngriheshin kundër diktaturës:
“E di si kemi shpëtuar ne apo jo? Këtu erdhën të gjitha ambasadat, prej tyre mori vesh Europa e Amerika, të cilët e kërcënuan Enver Hoxhën duke i thënë se nëse do vazhdosh të vrasësh të burgosur të pafajshëm do gjendesh përballë një bllokade që s'do ia dalësh.”
Pojani nënvizon se vuajtja nuk mbaroi me revoltën, por vijoi edhe më tej me ridënime dhe ndëshkime:
“Nuk pamë ditë të bardhë. Duke u ridënuar.”
Për të, Spaçi është më shumë se një relike historike është një pjesë e jetës dhe ndërgjegjes:
“Ky është burgu im, burgu juaj. Këtu ofshamat e nënave, vuajtjet e të burgosurve, këtu dëgjohen. I dëgjoni ju? Në këto ofshama nuk duhet të ketë sarkazëm si këto që po bëhen. Ata duhen ndëshkuar.”
© SYRI.net