SYRI TV/ Arrest në burg për vëllain e Nuredin Dumanit, Dashnor Dumani u njoh me masën e sigurisë

13:54, 14/06/2025

Qëndron në qeli vëllai i Nuredin Duanit, Dashnor Dumani, pasi Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë "arrest në burg". Ndërkohë, ka ndryshuar masën për Armis Stafën nga "arrest në burg" në "arrest shtëpie".

Ata u deportuan nga Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa ishin në kërkim ndërkombëtar si anëtarë të organizatave kriminale shqiptare. Dumani akuzohet për pjesëmarrje në vrasje dhe grabitje, ndërsa Stafa njihet si personi që pastronte paratë e organizatës kriminale të Çopjave.

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit në burg të caktuar në mungesë për Dashnor Dumanin, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, ndërsa ndryshoi masën për Armis Stafën, pjesë e organizatës kriminale të Çopjave. Stafa dyshohet se ka pastruar paratë e kësaj organizate nëpërmjet shit-blerjes së automjeteve. Asnjëri prej të akuzuarve nuk foli në gjykatë, por ata u përfaqësuan nga avokatët Ferdinand Ndoja dhe Gurali Braimllari.

Në bazë të informacionit të paraqitur në gjykatë, për Dumanin dhe Stafën nuk është zbatuar në mënyrë të rregullt procedura e ekstradimit, por ata janë sjellë nëpërmjet procedurës së deportimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Dyshja u sollën në Shqipëri më 11 qershor, nga Dubai, përmes një fluturimi tranzit nga Turqia.

Për Dashnor Dumanin, GJKKO-ja në vitin 2024 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Dumani akuzohet si pjesë e grupit që mori pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, një shtetas turk që i shoqëronte.

Ndaj tij ka një masë sigurie edhe për grabitjen spektakolare të Rinasit në vitin 2019, ku bashkë me shtetasin Altin Ndoci ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë të shumës së parave. Gjatë përplasjes me policinë, në këtë ngjarje u vra Admir Murataj, dhe në muajt pasues ka pasur krisje të grupit për shkak të ndarjes së parave, çka ka sjellë një valë vrasjesh të tjera.

Dashnor Dumani është i dënuar me 4 vite e 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje, dënim nga i cili i kanë mbetur për të shlyer 1 vit e 4 muaj.

Në rrëfimet e tij në sallën e gjyqit në GJKKO në procesin "Plumbi i Artë", Erion Alibej, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, deklaroi pak ditë më parë se nga hetimet që ka kryer në mënyrë private për masakrën, zbuloi se në mesin e atentatorëve ishte vëllai i Nuredin Dumanit. Me këtë të fundit, Erion Alibej nisi një bashkëpunim për vrasjen e Talo Çelës dhe, sipas tij, i ishte betuar për Kuranin se i falte gjakun e të vëllait, pavarësisht se Nuredin Dumani, kur i tregoi emrat e vrasësve të Endrit Alibejt, nuk i përmendi vëllain, Dashnor Dumani.

I ekstraduari tjetër, Armis Stafa, është pjesë e organizatës së vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Përmes shit-blerjes së makinave, dyshohet se roli i tij në grup ka qenë pastrimi i parave që rridhnin nga veprimtaria kriminale, kryesisht ajo e trafikut të drogës. Për të, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest në burg” në mungesë gjatë vitit të kaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco