Gazetari i ‘Piranjave’: Pse e kallëzova në SPAK kryebashkiaken e komanduar, Anuela Ristani

09:55, 12/06/2025

Emisioni “Piranjat” kanë depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj kryebashkiakes së komanduar të Tiranës, Anuela Ristani, pas denoncimit të skandalit për vënien në përdorim të familjes të automjeteve dhe stafit të bashkisë.

Kallëzimi u dorëzua nga gazetari që kreu investigimin, Edon Kuqi, i cili shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë, në dhënien e provave, ndonëse SPAK sipas tij mund të kishte nisur vetë një hetim kryesisht. 

Në kallëzim, Ristani akuzohet se ka kryer veprime intimiduese ndaj gazetarit që kreu investigimin.

Gazetari Edon Kuqi tregon në “Kafe Shqeto” me Flavio Qarrin si vepronte Ristani dhe për çfarë ai vetë dhe emisioni investigativ “Piranjat” e kanë dërguar kryebashkiaken e komanduar të bashkisë së kryeqytetit në SPAK.

“Pasi u publikua investigimi ynë, i vërtetuar me prova dhe fakte, zonja Ristani reagoi nëpërmjet një deklarate, ku na akuzonte për përndjekje, gjobaxhinj, madje na cilësoi për manjakë dhe pedofilë. Arriti deri në kulm.

Ne pikërisht për t’i marrë një përgjigje pyetjes kryesore, se përse një makinë e Bashkisë së Tiranës, shoferi i të cilës paguhet me taksat tona, makina është blerë me taksat tona, çdo gjë paguhet me taksat e qytetarëve të Tiranës, është në shërbim të një zotërie që është burri i zonjës Ristani, i cili punon në Presidencë.

Vendosëm të bëjmë një kallëzim penal, sepse ishin pretendimet përballë fakteve. Të pretendosh nuk është fakt. Jemi në demokraci dhe kemi lirinë e shprehjes, por edhe duhet të mbështetesh mbi prova dhe fakte ku akuzon një gazetar në detyrë, ku akuzon një produksion për gjobëvënie”, tha gazetari Kuqi.

Më tej ai sqaroi: “Kallëzimi ynë në SPAK ishte pikërisht për të vendosur një standard të ri që tashmë nëse ti ke prova dhe fakte, hajde t’i ballafaqojmë dhe secili të marrë atë që meriton.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë vetëm punën tonë kemi respektuar ligjin dhe nuk kemi cenuar askënd.

Jeta zyrtare e njerëzve publikë, që përdorin mjetet shtetërore për punë familjare, nuk është më private. Nuk është më jetë private që unë po të cenoj privatësinë.

Janë dy kallëzime. Redaksia investigative e emisionit “Piranjat” ka bërë një kallëzim penal për shpërdorim detyre. Sigurisht duke i vënë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në dispozicion të gjithë dokumentet, të gjitha provat që kemi gjatë gjithë investigimit për t’u faktuar.

Është dhe një kallëzim penal që e kam bërë unë, për shpifje, duke qen se na ka akuzuar për një përndjekje tremujore. Në dosjen që kam depozituar në SPAK janë të dokumentuara të gjitha faktet.

Tashmë jemi në fazën që do të flasim me fakte dhe prova”.

       

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco