Gratë shtatzëna nuk duhet të marrin barna për humbje peshe, paralajmëroi të enjten Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (MHRA), mes shqetësimeve për përdorimin e tyre në mënyra të pasigurta dhe pa mbikëqyrje mjekësore.
Sipas agjencisë, gratë që janë shtatzënë, që përpiqen të mbeten shtatzënë ose që ushqejnë me gji nuk duhet të marrin këto barna për shkak të mungesës së të dhënave të mjaftueshme mbi sigurinë dhe efektet që mund të kenë tek fëmijët. Nëse një grua mbetet shtatzënë gjatë përdorimit të këtyre barnave, ajo duhet të ndalojë menjëherë trajtimin dhe të kontaktojë mjekun.
Një nga barnat, Mounjaro, mund të zvogëlojë efektin e pilulave kontraceptive, ndaj MHRA rekomandon përdorimin e metodave alternative të kontrollit të lindjes, si implantet ose pajisjet intrauterine (IUD). “Obeziteti ul pjellorinë tek gratë, ndaj kur ato humbin peshë me ndihmën e barnave GLP-1, ka më shumë gjasa të mbeten shtatzënë,” tha Dr Channa Jayasena nga Imperial College London, duke theksuar nevojën për mbrojtje efektive gjatë trajtimit.
Barnat e njohura si GLP-1 receptor agonistë, përfshirë Ozempic, Wegovy, Saxenda, Victoza dhe Mounjaro, janë miratuar për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit. Ato funksionojnë duke imituar hormonet që rregullojnë oreksin dhe ndihmojnë në ndjesinë e ngopjes.
Por rritja e popullaritetit të tyre ka sjellë shqetësime për blerje të paligjshme online ose në sallone bukurie, pa recetë dhe pa vlerësim shëndetësor. “‘Skinny jabs’ janë barna që janë licencuar për kushte të caktuara mjekësore dhe nuk duhet të përdoren për qëllime estetike apo kozmetike,” deklaroi Dr Alison Cave, zyrtarja kryesore për sigurinë në MHRA.
Ajo shtoi se këto nuk janë zgjidhje të shpejta për të humbur peshë dhe nuk janë vlerësuar si të sigurta kur përdoren në këtë mënyrë.
© SYRI.net