Mbi një milion pelegrinë myslimanë kanë mbërritur në Mekë për të kryer Haxhin, ndërsa autoritetet saudite po përballen me një sfidë të madhe: temperaturat ekstreme të fillimverës që këtë vit pritet të kapërcejnë 40 gradë Celsius. Ky pelegrinazh i përvitshëm, një nga pesë shtyllat themelore të Islamit, përkon këtë vit me vapën e ashpër të sezonit, duke rritur rrezikun për shëndetin e pjesëmarrësve.
Pas një vere të kaluar tragjike, ku temperaturat arritën deri në 47 gradë dhe sollën mbi 1,300 viktima, autoritetet kanë shtuar masat për të shmangur përsëritjen e një skenari të tillë. Sistemi më i madh dhe më i avancuar në botë i ftohjes është vënë në funksion në Xhaminë e Madhe, duke ruajtur temperaturat e brendshme në nivele të kontrolluara prej 22-24 gradë Celsius.
Për të përballuar vapën, pelegrinëve u është shpërndarë një çantë sigurie që përmban udhëzime për mbrojtjen nga nxehtësia dhe dehidratimi, si dhe këshilla praktike për të shmangur daljet gjatë ditës apo zbulimin e kokës. Masa shtesë është edhe ndalimi i fëmijëve nën 12 vjeç që të marrin pjesë në Haxh, një politikë e re që synon të mbrojë të miturit nga kushtet ekstreme të motit.
Me gjithë sfidat klimatike, për miliona besimtarë Haxhi mbetet një përvojë shpirtërore e pazëvendësueshme, e cila simbolizon përkushtimin ndaj Zotit dhe mundësinë për një fillim të ri përmes faljes hyjnore.
© SYRI.net