Kurti: Ushtria jonë po dëshmon aftësi ndërvepruese me ushtritë e NATO-s

Kurti: Ushtria jonë po dëshmon aftësi ndërvepruese me ushtritë e NATO-s

20:02, 31/05/2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës po dëshmon çdo ditë aftësi ndërvepruese me ushtritë partnere të NATO-s, në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar Defender Europe 25, i cili po zhvillohet me sukses në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sot, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vizituam komandën e divizionit të 28-të të këmbësorisë së ushtrisë amerikane, e cila drejton brigadat shumëkombëshe në Europën Juglindore,” ka shkruar Kurti.

Ai bëri të ditur se vizitat vazhduan në Devë, ku ndodhet Forca për Detyrë – një batalion shumëkombësh i udhëhequr nga regjimenti i dytë i këmbësorisë së FSK-së – dhe në poligonin për qitje me armë të lehta, i cili është donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ushtrinë e Kosovës.

“Sot po ashtu patëm rastin të shohim nga afër investimet infrastrukturore që po bëjmë në zonën kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës,” shtoi Kurti, duke theksuar rëndësinë e këtyre zhvillimeve për forcimin e ushtrisë dhe shtetit të Kosovës.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco