KQZ: Gati t’i shpallim rezultatet përfundimtare pasi të përfundojnë ankesat

KQZ: Gati t’i shpallim rezultatet përfundimtare pasi të përfundojnë ankesat

11:17, 25/06/2026

Procesi zgjedhor në Kosovë po vazhdon të jetë në fazën e shqyrtimit të ankesave, ndërsa shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha vendimmarrjet nga institucionet përkatëse.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për Klankosova.tv se KQZ-ja aktualisht është në pritje të përfundimit të procesit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimeve nga institucionet kompetente.

Ai ka theksuar se para çdo hapi drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të vlerësohet nëse vendimet e marra për ankesat përmbajnë detyrime konkrete për KQZ-në.

“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, deklaroi Elezi.

Sipas tij, në rast se vendimet nuk përmbajnë detyrime që duhet të zbatohen nga KQZ-ja, atëherë institucioni është i gatshëm që menjëherë pas fuqizimit të tyre të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

“Nëse këto vendime s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpall rezultatet përfundimtare”, tha ai.

Elezi sqaroi gjithashtu se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e mbyll plotësisht procesin zgjedhor, pasi palët e përfshira ende kanë të drejtë ankese edhe pas këtij hapi.

“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyllë procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së.

KQZ thekson se vetëm pas përfundimit të të gjitha afateve ligjore dhe vendimeve përfundimtare, procesi i zgjedhjeve mund të konsiderohet i mbyllur në aspektin administrativ

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco