Këto nuk janë pamje që vijnë nga India apo Afganistani, por nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, i cili po mbytet në mbeturina, por edhe në mungesë të përgjegjësisë institucionale.
Por kush është fajtor i kësaj situate të paprecedent që vazhdon prej shumë javësh në të gjithë qytetin me 300 mijë banorë? Kompania “Pastrimi”? Komuna? Apo politika? Le t’i marrim me radhë.
Në kompaninë Pastrimi, që pavarësisht emrit nuk po pastron asgjë këto ditë, gjërat bëhen menjëherë të qarta. Drejtori tregohet i prerë, kapacitetet për të pastruar Prishtinën janë, por mungon karburanti apo siç njihet në Kosovë, derivatet.
Me pak fjalë, qytetari paguan në komunë, ndërmarrja nuk paguhet nga komuna, dhe qyteti mbytet në plehra. Kjo situatë absurde është reflektuar edhe në stafin prej 820 punonjësve të kompanisë Pastrimi, që i tremben largimit nga puna.
Ky operator i kompanisë na konfirmon se janë të gatshëm si gjithmonë të pastrojnë qytetin, pavarësisht krizës që sipas tij ka një shkak që nuk varet nga kompania.
Pavarësisht kësaj gatishmërie të stafit, gjërat vazhdojnë të mos funksionojnë në dëm të qytetit dhe të banorëve.
Ndërkohë në këto kushte, sipas drejtuesve të kompanisë, po punohet me prioritete, me qëllim evitimin e ndonjë të papriture në sektorë ku mund të ketë rrezik epidemish.
Po cili mund të jetë shkaku i këtij konflikti që ka përfunduar në përplasje mes Kompanisë “Pastrimi” dhe Komunës? A mund të ketë një prapaskenë? Me sa duket, gjithçka lidhet me dy kompani të tjera që kanë hyrë në treg, dhe dyshimet janë që për t’i hapur rrugë atyre, po sabotohet puna e kompanisë aktuale.
Të gjitha rrugët na çojnë në Komunën e Prishtinës, e cila gjatë gjithë kësaj kohe duket se ka larë duart me situatën, duke drejtuar gishtin gjithmonë tek kompania e kontraktuar për pastrimin e kryeqytetit.
Kryetari Rama e nis me këmbën e gabuar duke na akuzuar se disinformojmë për situatën, pavarësisht se të gjithë qytetarët e Prishtinës po përjetojnë çdo ditë një situatë të papranueshme për asnjë.
E vlerësojmë kujdesin e kryetarit për shëndetin tonë, por do të ishte më mirë që këtë kujdes ta kishte për 300 mijë banorët që e kanë zgjedhur si menaxher të Prishtinës.
Kryetari e ndan përballjen me ne herë me ironi dhe herë duke na u shmangur, thjesht për të evituar përgjigjen që e lidh me skandalin e mbeturinave.
U infektua edhe zoti Rama i Prishtinës me akuza ndaj nesh, me sa duket nën gjurmët e kolegëve të tij këtej kufirit. Megjithatë, përgjigje për skandalin ende nuk po marrim.
Indiferencë, qeshje ironike, gjuhë seksiste dhe heshtje për çfarë po ndodh prej më shumë se dy javësh. Ky është reagimi i qytetarit të parë të Prishtinës.
Ndërkohë që qyteti vazhdon të notojë mes mbeturinave edhe sot e kësaj dite...
© SYRI.net