Kuvendi zhvilloi seancën e parë plenare pas zgjedhje të 11 majit, ndërsa debatet u fokusuan te akuzat e opozitës për farsën elektorale. Kryetari i Partisë Demokratike, akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdori bandat kriminale për të marrë zgjedhjet, dhe ndërsa i denoncoi me emër u shpreh se kartelet e drogës kanë 28 deputetë në kuvendin e ri që nis punën në shtator.
Syri TV
Seanca e parë e Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare, u dominua tërësisht nga debatet për integritetin e procesit zgjedhor të 11 majit, që opozita e cilëson një farsë elektorale. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në foltoren e Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulim të procesit zgjedhor, përmes blerjes së votave dhe bashkëpunimit me krimin.
Lideri i opozitës denoncoi me emra krerët e grupeve kriminale dhe përfaqësuesit e tyre, që do të ulen në kuvend në shtator.
Tensionet në kuvend, u paralajmëruan që në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, kur përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës, debatuan, pa arritur një dakordësi për kalendarin e punimeve. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, në mbledhjen me dyer të mbyllura akuzoi mazhorancën se po e trajton kuvendin si pronë private, ndërsa denoncoi lidhjet e eksponentëve të PS, me krimin, të cilat ndezën fitilin e një tjetër përplasje në kuvend.
Me kartonët e komanduar, mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për ndryshimin e rendit dhe përfshirjen në seancë plenare të diskutimeve jashtë rendit të ditës. Në përfundim të seancës së shkurtër, me shumë tensione, kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se kuvendi po shkel ligjet dhe Kushtetutën.
Në seancën e parë, të rikthimit pas zgjedhjeve, socialistët miratuan të vetëm edhe kalendarin e punimeve, duke minuar çdo mundësi për dialog.
© SYRI.net