Media kryesore gjermane, televizioni ZDF ka publikuar një dokumentar ku heton rolin e mafies shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe lidhjet e saj me kartelet e Amerikës Latine.
Gazetari britanik Matt Shea udhëtoi në Kolumbi për të zbuluar si mafia shqiptare bashkëpunon me kartelet e drogës dhe kontrollojnë shpërndarjen e kokainës në Evropë.
Ai hedh dritë mbi mënyrën se si kokaina shpërndahet nëpër Evropë, deri tek rrugët e Londrës, Amsterdamit e Tiranës.
Ai zbulon gjithashtu se si grupe si “Hellbanianz”, të njohur për videot ku shfaqin pasurinë e tyre luksoze, e çojnë drogën deri tek konsumatorët.
E shkuara e trazuar
Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, ka një histori të trazuar. Varfëria, dobësia e institucioneve, korrupsioni dhe trashëgimia e regjimit komunist e kanë kthyer këtë shtet të Ballkanit në një terren të përshtatshëm për lulëzimin e krimit të organizuar.
Kjo seri e dokumentarit investigon ngritjen e mafies shqiptare në një nga organizatat kriminale më të frikshme në botë. Përmes bisedave me anëtarë bandash, shpërndarës rrugësh, doganierë dhe gazetarë investigativë, Matt Shea nxjerr në pah sesi kartelet, klanet dhe rrjetet financiare ushqejnë së bashku një nga tregjet më fitimprurëse të drogës në botë.
Në të gjithë globin, ekipe gazetarësh hetojnë format e reja të krimit të organizuar. Bisedat e tyre me viktima, autorë dhe hetues ofrojnë një vështrim të thelluar në botën e errët të krimit.
Këtu dokumentari.
© SYRI.net