Maqedonci: Kosova është në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në në aspektin e mbrojtjes

Maqedonci: Kosova është në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në në aspektin e mbrojtjes

09:02, 27/05/2025

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë besuar Kosovës që të jetë pjesë e ushtrimeve dhe njëherit nikoqire e “Defender Europe 25”.

Maqedonci ka deklaruar të hënën se Kosova aktualisht është në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në në aspektin e mbrojtjes.

“Janë 25.000 trupa ushtarake nga 29 vende të NATO-s, e në zonën ku merr pjesë edhe Kosova do të jenë 12.000 trupa që do të jenë nga 19 vende të NATO-s dhe vende partnere. Kjo është arritje jashtëzakonshme për vendin tonë, pasi jemi pjesë e ushtrimit, vend nikoqir mes 18 shteteve. Veçantia e kësaj është që SHBA-ja ka besuar në Republikën e Kosovës që të jetë nikoqire edhe e komandës që do t’i drejtojë të gjitha ushtrimet dhe aktivitetet në rajonin e Ballkanit”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka shtuar tutje se përgatitjet për këtë ushtrim masiv ushtarak janë bërë tash e një vit.

“…Besoj se tani jemi në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në, në aspektin e mbrojtjes. Pika më e lartë që vendi ynë ka pasur me SHBA-në…”, u shpreh Maqedonci.

Ministri në detyrë ka theksuar se ndërveprueshmëria do të jetë objektivi kyç i Forcës së Sigurisë së Kosovës në këto stërvitje shumëkombëshe.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet i kërcënuar derisa Serbia në Kushtetutë ende e mban Kosovën si pjesë të saj.

Ai ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se kërcënimi është aktual derisa autoritetet në Serbi ende e promovojnë popullin serb si popull qiellor, derisa shtoi se Kosova duhet të jetë e brengosur, por assesi e frikësuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco