Ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar sot paradite nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, teksa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka informuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Beograd. Po ashtu, MPJD ka njoftuar për rastin edhe misionet diplomatike në Prishtinë dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione zyrtare rreth ndalimit.
MPJD ka dënuar fuqishëm këtë veprim të cilësuar si arbitrar, duke kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare reagim të menjëhershëm dhe lirimin e pa kushte të z. Agusholli.
“Ky është një akt represiv që bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut,” thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë.
Institucionet kosovare kanë paralajmëruar se do të mbajnë të informuar partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm dhe do të publikojnë të gjitha informacionet e reja pas konfirmimit zyrtar.
© SYRI.net