Ngërçi politik në Kuvend: Gjykata Kushtetuese në qendër të debatit për zgjidhje.
Takimi i liderëve partiakë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka prodhuar rezultat konkret për tejkalimin e ngërçit politik që po e paralizon punën e Kuvendit të Kosovës. Ngërçi ka kulmuar me dështimin e përsëritur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, proces ky që ka dështuar tashmë 16 herë me radhë.
Presidentja Osmani, pas përfundimit të takimit me liderët politikë, nuk e përjashtoi mundësinë që nëse situata vazhdon të zvarritet, çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Por, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk është e sigurt nëse kjo kërkesë do të pranohet për shqyrtim.
Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë të mos e trajtojë fare këtë rast.
“Mundet të mos bëjë akt për arsyen që nuk është duke u prodhuar ndonjë pasojë juridike, dhe mbi të gjitha, nuk është nënshkruar nga kryesuesi, realisht kryetari i Kuvendit”, deklaroi Kolshi.
Sipas tij, nëse Gjykata pranon ta trajtojë kërkesën, ajo mund të japë sqarime që do të ndihmonin në tejkalimin e krizës institucionale.
“Mund të lëshohet edhe në shpjegimin e situatave dhe krizave që realisht i kemi tani, dhe të tregojë se nuk duhet të abuzohet me këtë të drejtë që i është dhënë Kushtetueses partisë më të madhe ose partive të tjera opozitare”, shtoi Kolshi.
Ndërkohë, analisti politik Albinot Maloku vlerëson se një kërkesë zyrtare nga Presidentja për interpretim kushtetues mund të ndihmojë në daljen nga ngërçi.
“Konsideroj që tentimi për t’i dhënë një hapësirë më të madhe një marrëveshjeje, përmes disa diskutimeve shtesë, siç e tha edhe presidentja, është më i drejtë sesa tentimi për të nxjerrë dokumente shtesë”, deklaroi Maloku.
Ndërsa institucionet politike nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët, Gjykata Kushtetuese shihet nga disa si instanca e fundit që mund të ofrojë sqarime ligjore për një rrugëdalje nga kriza që ka bllokuar funksionimin normal të Kuvendit.
© SYRI.net