Mekanizmi i manipulimit të votës, i cilësuar si “Treni Bullgar”, është përdorur në të gjithë Shqipërinë. Syri Televizion ka siguruar një foto, ku shfaqet Dhimitër Llajo, kushëriri i kandidatit të PS-së në Sarandë, Vasil Llajo, i cili dyshohet se ka nxjerrë nga qendra e votimit një fletë votimi të vulosur nga kryetari dhe sekretari. Llajo dyshohet se ka përdorur fletën e nxjerrë nga qendra e votimit, duke ua dhënë më pas qytetarëve të plotësuar dhe më pas duke i nxjerrë ato në kutitë e votimit, duke nxjerrë përsëri nga qendra një fletë votimi të pastër. Këto dyshime i konfirmon fakti se Vasil Llajo ka fituar bindshëm në fshatin Dhivër dhe në të gjithë bashkinë Finiq.
Zbulohet një tjetër fakt që vërteton masakrën zgjedhore, ku një nga mekanizmat e manipulimit të rezultatit është “Treni Bullgar”. Pas Tiranës, zbulohet se ky mekanizëm, ku një fletë votimi e rregullt nxirret jashtë qendrës së votimit duke krijuar një zinxhir, është përdorur edhe në bashkinë Finiq në qarkun e Vlorës. Në datën 11 maj, pra ditën e zgjedhjeve, kandidatja e Partisë Demokratike në Sarandë, Ina Zhupa, publikoi disa foto, që tregonin se Dhimitër Llajo, kushëri i kandidatit socialist Vasil Llajo, shfaqej me një fletë votimi pranë qendrës ku votonin qytetarët.
Fotoja është bërë në fshatin Dhivër, në qendrën e votimit Nr. 4695. Në foton që shihni, fleta nuk duket nëse është e rregullt apo jo, për shkak se pozicioni i saj nuk lejon të shohësh nëse ka vula të kryetarit dhe sekretarit të qendrës së votimit. Megjithatë, këtë të enjte, Syri Televizion disponon një tjetër foto, e cila tregon se fleta që mban në dorë Dhimitër Llajo ka dy vula, duke nënkuptuar se ajo është nxjerrë jashtë qendrës së votimit dhe më pas është përdorur për fenomenin e trenit bullgar.
Siç shihet në këtë foto, Dhimitër Llajo nuk ka nguruar të kryejë krimin elektoral në mes të ditës, pa pasur aspak frikë se mund t'i ndodhte diçka. Këtë fakt e forcon edhe më shumë rezultati i zgjedhjeve në Bashkinë e Finiqit, ku kandidati socialist, Vasil Llajo, ka grumbulluar 2047 vota, ose thënë ndryshe, gati 96% të votave individuale në raport me kandidatët e tjerë socialistë në këtë bashki. Nga të dhënat rezulton se në qendrën e votimit të denoncuar nga Ina Zhupa, dhe ku dyshohet se është përdorur treni bullgar, Partia Socialiste ka fituar me 60% të rezultatit, ndërsa në të gjitha qendrat e fshatit Dhivër, Vasil Llajo ka fituar me shumicë absolute votash.
Tashmë i mbetet SPAK-ut të hetojë edhe këtë fakt, të denoncuar tashmë publikisht, që dëshmon se zgjedhjet e 11 majit janë manipuluar duke përdorur të gjithë mekanizmat.
© SYRI.net