Deputeti i betuar i VV-së, Faton Peci ka shprehur besim se do të arrihet një rrugëzgjidhje nga takimet e liderëve të partive politike me presidenten Vjosa Osmani.
“Qëllimi i takimit është arritja e një marrëveshjeje për dakordim dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në momentin kur Kurti ka ftuar partitë politike opozitare për të marrë pjesë në një diskutim, ky takim ka pasur për synim arritjen e një marrëveshjeje për dakordim dhe konstituimin e Kuvendit. Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë epilogu. Uroj dhe shpresoj nga ai takim të dilet me propozim që të jetë rrugëzgjidhja”, tha ai.
Peci po ashtu ka thënë se Albulena Haxhiu nuk është shkaktare për moskonstiuimin e Kuvendit të Kosovës, ani pse sot ishte dështimi i 16-të i kësaj përpjekje.
“Emri i Albulena Haxhiut nuk është problemi, mendoj se jemi duke i hi në hak edhe si shoqëri, duke e targetu dhe duke ia vendos barrën e përgjegjësisë Albulena Haxhiut pse s’po kemi konstituim të Kuvendit”, tha Peci.
Tutje, Peci thotë se e drejta ekskluzive i takon VV-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit.
Peci shton se ish-opozita nuk mundet ta propozojë një emër për të zotin e parlamentit, pasi sipas tij, ata janë humbës të mëdhenj të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Nuk mundet dikush, një të drejtë që ta ka dhuruar qytetari edhe gjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që dikush nga partitë opozitare, që janë humbës të mëdhenj të zgjedhjeve, me ardh dhe me e përcaktu se kush emri i përveçëm”.
© SYRI.net