Disa kandidatë kishin zgjedhur që qytetarët, pas pagesës, t'u sillnin votën e fotografuar. Për këtë fenomen, të paktën 7 persona u vunë në pranga. Por në mes të Tiranës u zbulua edhe rasti më i rëndë i një krimi elektoral — ai që njihet si “Treni Bullgar”.
Në KZAZ-në nr. 40 në Tiranë, numëruesit zbuluan një fletë votimi të falsifikuar, e cila kishte printim të ndryshëm, ngjyrë tjetër dhe karakteristika të tjera dalluese. Sapo u zbulua ky krim i rëndë elektoral, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, që deri në atë moment ishte prezent, u largua. Sapo rasti u bë publik, Policia ndërhyri menjëherë për të nxjerrë të gjithë jashtë qendrës së votimit.
Nuk mungoi as dhuna ndaj gazetarëve, ku policët kërkuan daljen e mediave nga ambientet e qendrës.
Denoncimet ishin të shumta edhe për problemet me pajisjet elektronike. Siç u dëshmua me pamje filmike, në më shumë se një rast, me një kartë identiteti të një personi tjetër, kushdo mund të votonte lirisht.
Ndërkohë që Rama shpalli fitoren dhe numërimi i votave të diasporës vijonte, manipulime u zbuluan edhe tek votimi i emigrantëve. Qartazi, votat dukeshin të sigluara dhe të palosura nga e njëjta dorë, ndërsa nga Greqia dhe shtete të tjera, qindra qytetarë denoncuan se nuk u kishte mbërritur fleta e votimit, edhe pse figuronin si votues.
Këto probleme që cenojnë rëndë vullnetin e qytetarëve nuk u morën në konsideratë nga KQZ-ja, e cila vendosi që votat të vijonin të numëroheshin.
Në raportin paraprak, OSBE-ODIHR rrëzoi farsën elektorale. Përdorimi i pushtetit, i bandave, patronazhistëve, blerja e votave, presioni ndaj administratës dhe deformimi i realitetit me ndihmën e mediave të kapura nga pushteti janë disa nga gjetjet më shqetësuese.
Që në krye të raportit, OSBE-ODIHR evidenton se Partia në pushtet përdori burimet shtetërore për të favorizuar veten në zgjedhje.
OSBE-ODIHR:
Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe institucionale, duke përfshirë heqjen e një numri të madh gjobash shtetërore të shpallura pak para ditës së zgjedhjeve. Zyrtarë të lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh ngjarjesh zyrtare që shpesh përputheshin me mesazhet e fushatës, duke zbehur kufirin ndërmjet shtetit dhe partisë.
Rrjeti i Patronazhistëve, i denoncuar gjerësisht gjatë fushatës, është një nga shqetësimet kryesore. OSBE-ODIHR e cilëson këtë rrjet si të ndërtuar nga Partia Socialiste në shkelje të standardeve ndërkombëtare.
OSBE-ODIHR:
Shumë bashkëbisedues të Misionit të ODIHR-it ngritën shqetësime rreth ndikimit të rrjeteve të patronazhit në të gjithë vendin, duke pretenduar se premtimet për punësim publik, favore administrative dhe leje u përdorën për të siguruar vota. U raportuan raste frikësimi të mbështetësve të opozitës dhe presioni mbi punonjësit publikë për të marrë pjesë në aktivitetet elektorale të PS-së.
Akuza për presion mbi punonjësit e administratës për të marrë pjesë në fushatën e PS-së u bënë në Durrës, Fier, Has, Korçë, Peshkopi, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Në Devoll, Elbasan, Gjirokastër, Lezhë, Pukë, Shkodër dhe Tropojë u raportuan presione edhe për mbështetje financiare të partisë.
Në Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë u bë akuza për presion mbi punonjës të sektorit publik për të dhënë të dhëna mbi familjarë apo miq që jetojnë jashtë vendit.
Por nuk kanë qenë vetëm patronazhistët dhe vartësit direkt të Edi Ramës. Sipas OSBE-ODIHR, janë raportuar edhe presione nga Policia ndaj votuesve.
OSBE-ODIHR:
Akuza për votues që nuk merrnin pjesë në ngjarjet e partisë opozitare nga frika e hakmarrjes u bënë në të gjithë vendin, me rrëfime konkrete në Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Kukës dhe Tiranë. Për më tepër, në Fier u raportuan raste të frikësimit të votuesve nga Policia.
Në raport thuhet gjithashtu se në blerjen e votave janë përfshirë edhe grupe kriminale, të lidhura me kandidatët e Partisë Socialiste.
OSBE-ODIHR:
Akuza specifike për blerje votash u bënë në Elbasan, Korçë, Mirditë, Shkodër dhe Tiranë. Akuza të tilla iu bënë Misionit të ODIHR-it edhe në Durrës, Elbasan, Tiranë dhe Vorë, ku autorët e dyshuar ishin të lidhur me grupe të organizuara kriminale.
Gjatë fushatës u nisën hetime për 37 raste të dyshuara për blerje votash. Disa bashkëbisedues të misionit ODIHR denoncuan lidhje të partive politike me krimin e organizuar, që në disa raste frikësonin votuesit dhe kandidatët.
Komisionet e Votimit dhe Parregullsitë:
Presionet nga pushteti depërtuan edhe në komisionet e votimit, duke sjellë deformim të hapur të vullnetit të qytetarëve.
U vërejtën një numër i konsiderueshëm incidentesh me frikësim, ndërhyrje nga vëzhgues të partive, si dhe akuza për blerje votash. Fshehtësia e votës u kompromentua shpesh për shkak të vendosjes jo të duhur të qendrave të votimit, mbipopullimit dhe ndërhyrjes së panevojshme. Më shumë se gjysma e qendrave të votimit të vëzhguara nuk ishin të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë që Edi Rama po shkon drejt mbajtjes së pushtetit për herë të katërt radhazi pas 12 vitesh, opozita ka thirrur një protestë më 16 maj, në orën 17:00, për t’i treguar botës masakrën elektorale të qeverisë.
© SYRI.net