Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesën e deputetëve me mbështetje edhe të deputetëve tjerë në ZRrE për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Me të njëjtën shkresë është kërkuar edhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për ekonomitë familjare.
Kërkesa e deputetëve të LDK-së dhe deputetëve tjerë nënshkrues të kërkesës janë:
-Anulimi ose shtyrja e vendimit për së paku një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet realisht dhe bizneseve të përgatiten;
-Zbatimi i konsultimeve të hapura dhe publike, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë;
-Dorëzimi i analizës së plotë në Kuvend, menjëherë pas konstituimit të tij, së bashku me vendimin për liberalizim të tregut, dhe
-Anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, me zotimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët.
Deputetët theksojnë se në mungesë të një tregu funksional dhe konkurrues, çdo veprim i tillë për të larguar me forcë bizneset nga tregu i rregulluar do të ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe do të përbëjë shkelje të interesit publik.
“Kjo kërkesë është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme. Iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës është nënshkruar nga 30 deputetë dhe është dorëzuar në ZRrE nga Nënkryetarja e LDK-së, znj. Hykmete Bajrami dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi. Ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë. Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë”, thuhet tutje në njoftimin e LDK-së.
© SYRI.net