Evropa po përballet me një krizë të dyfishtë demografike: jo vetëm që popullsia po plaket me ritme të shpejta, por edhe fuqia punëtore në sektorin e shëndetësisë po tregon të njëjtën prirje alarmante. Sipas raportit të përbashkët të OECD dhe Komisionit Evropian “Shëndeti me një vështrim: Evropa 2024”, në vitin 2022 më shumë se një në tre mjekë në BE ishin mbi moshën 55 vjeç, ndërsa në gjysmën e shteteve anëtare kjo shifër kalonte 40 përqind.
Gjendja është më kritike në vende si Italia dhe Bullgaria, ku 54 përqind e mjekëve janë mbi 55 vjeç, ndërsa në 11 vende të tjera, pothuajse një në pesë mjekë ka kaluar moshën 65 vjeç. Në kontrast, vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia raportojnë përqindje shumë më të ulëta të mjekëve të moshuar – përkatësisht 14 dhe 15 përqind – falë politikave më efektive të trajnimit dhe tërheqjes së mjekëve të rinj.
Presidenti i Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Evropianë, Dr. Ole Johan Bakke, paralajmëron se kombinimi i mungesave kronike të stafit me plakjen e profesionistëve ekzistues përbën një kërcënim serioz për qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësore. Në disa vende, mungesa e investimeve afatgjata në arsimimin mjekësor, si dhe emigrimi i mjekëve të rinj për shkak të kushteve të vështira të punës, e kanë përkeqësuar krizën.
Ndërkohë, infermierët po plaken me ritme më të ngadalta se mjekët, me një mesatare prej 24 përqind të atyre mbi moshën 55 vjeç. Megjithatë, mungesa e përgjithshme e personelit shëndetësor është evidente: në periudhën 2022–2023, 20 vende të BE-së raportuan mungesa mjekësh, ndërsa 15 kishin edhe mungesa infermierësh.
Parashikimet tregojnë se nëse nuk merren masa urgjente, raporti midis personave të moshuar dhe stafit të kujdesit shëndetësor do të përkeqësohet më tej. Deri në vitin 2050, për çdo 3.94 persona mbi moshën 65 vjeç do të ketë vetëm një të punësuar në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe social, nga 3.49 që ishte në vitin 2022.
Ekspertët bëjnë thirrje për politika të bazuara në të dhëna afatgjata, investime të qëndrueshme në arsim dhe përmirësime të kushteve të punës për të rinjtë, në mënyrë që mjekësia të mos humbasë atraktivitetin dhe sistemi shëndetësor i BE-së të mos përballet me kolaps.
© SYRI.net