'Fund i një mashtrimi politik, heqja ‘non-grata’ e Berishës është akt drejtësie'/ Kraja: Rama u rrëzua nga e vërteta amerikane

15:58, 08/05/2025

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, Akil Kraja, në një intervistë të dhënë për edicionin informativ të lajmeve, ka reaguar fuqishëm ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me dënimin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Kraja shprehet se, ky është një moment historik që konfirmon përpjekjet dhe denoncimet e Partisë Demokratike për një betejë të gjatë ndaj korrupsionit dhe ndërhyrjeve të padrejta në politikën shqiptare.

Kraja e cilëson vendimin amerikan si një provë të pakundërshtueshme të së vërtetës që Partia Demokratike ka mbrojtur prej vitesh dhe një triumf të drejtësisë ndaj korrupsionit me ndikim ndërkombëtar.

Ai nënvizon se kjo është një fitore jo vetëm për PD-në dhe Sali Berishën, por për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për vetë marrëdhënien e ndershme shqiptaro-amerikane.

Deklarata:

Është një lajm i jashtëzakonshëm, pasi në vetvete konfirmon rezultatin e një beteje që ka nisur që në vitin 2021. Betejë e cila ka qenë e ndikuar nga korrupsioni, për shkak të përfshirjes së Charles McGonigal, tashmë i dënuar nga një gjykatë amerikane një agjent që ka marrë rryshfet për të ndikuar në vendimmarrje.

Sot jemi në vitin 2025, vetëm pak orë para një vendimi elektoral. Ju e dini mirë se kjo nuk është thjesht një rastësi; është një drejtësi politike dhe diplomatike, një drejtësi që u mundëson realisht çdo shqiptari të kuptojë, njëherë e mirë, se ekziston vetëm një e vërtetë.

E vërteta është kjo: Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë qenë objekt i një sulmi të padrejtë dhe të politizuar nga një administratë e ndikuar nga interesa që nuk përfaqësojnë aspak një marrëdhënie pozitive shqiptaro-amerikane, por përkundrazi interesa të lidhura me axhenda ideologjike të sponsorizuara, ndër të tjera, nga fondacione si ai i George Soros.

Kjo është një fitore për Sali Berishën, për Partinë Demokratike, për Shqipërinë dhe për vetë Amerikën, sepse e vërteta dhe drejtësia triumfuan.

Edi Rama është një peshë kundër demokracisë. Ai ka ndikuar në diskreditimin jo vetëm të Berishës, por të gjithë opozitës, duke tentuar të mbajë pushtetin nëpërmjet korrupsionit transatlantik. Ai humbi. Ai dështoi.

Më 11 maj, çdo qytetar duhet të kuptojë se sot kemi një PD dhe një lider që ka fituar vlerën morale dhe diplomatike. Të dielën zhvillohen zgjedhjet. Është jetike që shqiptarët të kuptojnë se pas skandaleve si ai me McGonigal, drogës, korrupsionit dhe propagandës diplomatike prej miliona eurosh, sot kemi një provë përfundimtare që vjen nga SHBA dhe tregon qartë: Edi Rama është një pengesë për demokracinë një individ që ka bashkëpunuar me të korruptuarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco