“Jo” e butë për Abdixhikun: PDK dhe AAK refuzojnë qeverinë kalimtare, synojnë qeverisje me ish-opozitën

“Jo” e butë për Abdixhikun: PDK dhe AAK refuzojnë qeverinë kalimtare, synojnë qeverisje me ish-opozitën

22:42, 07/05/2025

Përpjekja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të propozuar një Qeveri Kalimtare Gjithpërfshirëse ka hasur në refuzime nga të gjitha anët e spektrit politik. Propozimi i tij, që synonte të zhbllokonte krizën institucionale në vend dhe të përgatiste terrenin për zgjedhje të reja, nuk gjeti përkrahje as nga Vetëvendosja, as nga Partia Demokratike e Kosovës dhe as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

  • VV pa vota, por me qëndrim të palëkundur për Albulena Haxhiun

Prej më shumë se një muaji, Vetëvendosja ka dështuar ta zgjedhë Albulena Haxhiun si Kryetare të Kuvendit, me 12 seanca konstitutive të dështuara. Edhe pse i është ofruar zgjidhja për të propozuar një emër më konsensual, LVV ka refuzuar të tërhiqet nga kandidatura e saj, duke e mbajtur të bllokuar procesin e formimit të institucioneve.

Për më tepër, edhe nëse kalon fazën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, VV nuk i ka votat për të formuar Qeverinë, çka e vendos vendin në një “vrimë të zezë” institucionale.

  • Abdixhiku me propozim të ri, refuzohet menjëherë nga VV

 

Në përballje me bllokadën, Lumir Abdixhiku propozoi një Qeveri Kalimtare të përkohshme, me mandat të shkurtër dhe gjithëpërfshirëse, për të siguruar zgjedhje të reja. Por, Vetëvendosja jo vetëm që refuzoi idenë, por brenda 24 orëve nisi sulme publike ndaj LDK-së, duke e akuzuar për mungesë serioziteti.

  • PDK: Jo me mirësjellje dhe me theks te roli i Presidentes

Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë, refuzoi në mënyrë diplomatike propozimin e Abdixhikut. Në komunikatën zyrtare, PDK vlerësoi se zgjidhja kalon përmes një qeverie të re të përbërë nga partitë që kanë qenë në opozitë, duke sugjeruar që Vetëvendosja duhet të pranojë dështimin për të formuar shumicë.

Sa i përket qeverisë kalimtare, PDK ia kaloi përgjegjësinë Presidentes së Republikës, duke thënë se ajo duhet të thërrasë një tryezë gjithëpërfshirëse me të gjitha subjektet parlamentare për të gjetur zgjidhje.

  • AAK: “Nuk ulem aty ku është Vetëvendosja”

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes kryetarit Ramush Haradinaj, refuzoi propozimin për qeveri kalimtare, duke e përjashtuar çdo bashkëpunim me Vetëvendosjen. Haradinaj theksoi se është i hapur për bashkëpunim me LDK-në dhe PDK-në, por jo në tryeza ku është e pranishme VV.

“E kam të pamundshme të ulem aty nëse është VV,” deklaroi Haradinaj, duke shtuar se AAK angazhohet për një qeveri të re të udhëhequr nga ish-opozita, e cila do të nxirrte vendin nga kriza dhe do të përgatiste zgjedhje të rregullta.

Situata politike në Kosovë mbetet e bllokuar, me Vetëvendosjen të palëkundur në qëndrimin e saj, dhe partitë e tjera që kërkojnë një zgjidhje pa përfshirjen e saj në qeverinë e ardhshme. Në mungesë të një marrëveshjeje të gjerë politike, vendi mund të shkojë drejt një periudhe të zgjatur pa institucione funksionale./Syri Kosova


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco