Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbylli fushatën elektorale në qarkun e Korçës.
Nga sheshi qendror, ai u prit nga një numër i madh qytetarësh, të cilëve u kërkoi që më 11 maj të votojnë për një ndryshim të thellë. Berisha theksoi se vendi ndodhet përpara një ndarjeje historike dhe kërkoi vetëm 100 ditë për ta çuar Shqipërinë në një kthesë vendimtare.
Korça i rezervoi një pritje të jashtëzakonshme Sali Berishës, në një miting përmbyllës që mblodhi qytetarë nga i gjithë qarku, me mesazhe të forta për ndryshim dhe ringritje. Nga podiumi, lideri i opozitës sulmoi ashpër qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar për shkatërrimin sistematik të jetës ekonomike, arsimore dhe sociale të Korçës.
Lideri i opozitës u kërkoi qytetarëve 100 ditë për të provuar se qeverisja e Partisë Demokratike do t’i japë fund varfërisë ekstreme, përmes miratimit të minimumit jetik, rritjes së pagave dhe pensioneve, vendosjes së një minimumi jetik, si dhe mbështetjes për bizneset dhe fermerët.
Një ditë pasi prezantoi paktin për rininë, Berisha deklaroi se fokusi i qeverisjes së Partisë Demokratike do të jetë krijimi i mundësive për shkollim dhe punësim, për të mbajtur rinjtë në Shqipëri dhe për të rikthyer ata që kanë emigruar.
Kreu i Partisë Demokratike përmbylli fjalën e tij, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që më 11 maj të bëhen pjesë e ndryshimit të madh për vendin.
© SYRI.net