Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar gjendja aktuale politike në vend, bllokada institucionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe propozimi i kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie tranzicioni.
Në njoftimin zyrtar të PDK-së thuhet se vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale, për të cilën kjo parti fajëson qeverinë në largim, të përbërë nga koalicioni VV – GUXO – Alternativa, raporton Syri.net Kosova.
“Kriza është rezultat i sjelljes së papërgjegjshme të koalicionit fitues, i cili pa shumicë parlamentare po mban peng Kosovën,” thuhet në njoftim.
Sa i përket propozimit të Abdixhikut, PDK thotë se çdo iniciativë që synon tejkalimin e bllokadës institucionale, duhet të dëgjohet dhe të diskutohet.
“Që nga përfundimi i zgjedhjeve, kemi zhvilluar takime me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe Vetëvendosjen, ndonëse e konsiderojmë atë përgjegjëse për krizën. Dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të rikthyer normalitetin institucional,” thekson PDK, raporton Syri Kosova.
Partia ka shprehur gjithashtu gatishmëri për pjesëmarrje në çdo takim politik në interes të qytetarëve. Ajo sugjeron që Presidentja e Republikës të thërrasë një tryezë gjithëpërfshirëse, si hap të parë drejt zgjidhjes së krizës.
Në këtë kontekst, PDK riafirmon vizionin për një qeveri të re të përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë, me një platformë të përbashkët për ndaljen e degradimit institucional, daljen nga izolimi ndërkombëtar dhe avancimin e zhvillimit ekonomik.
Në përmbyllje, PDK i bën thirrje koalicionit aktual që të mos e bllokojë më tej shtetin duke vonuar propozimin për Kryetar të Kuvendit, dhe kërkon pranimin e realitetit të ri politik.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më parë. Kosova meriton më shumë. Kosova mundet më mirë,” përfundon njoftimi i PDK-së./Syri Kosova
© SYRI.net