Lëvizja studentore në Serbi kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, përplasjet politike intensifikohen

Lëvizja studentore në Serbi kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, përplasjet politike intensifikohen

16:45, 07/05/2025

Lëvizja studentore në Serbi, e cila ka protestuar për gjashtë muaj rresht kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiç, ka shtuar zyrtarisht në axhendën e saj kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke e rritur presionin mbi pushtetin në një klimë të trazuar politike.

Shkak për përshkallëzimin e protestave ishte incidenti tragjik i nëntorit 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e një tende shkaktoi viktima. Ngjarja solli një valë dorëheqjesh, arrestimesh dhe përfundimisht rrëzimin e qeverisë së mëparshme. Megjithatë, studentët vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie dhe reforma të thella.

“Zëri i të rinjve nuk është vetëm zhurmë, por një forcë që mund të iniciojë ndryshime, të rivendosë dinjitetin dhe të zgjojë shpresën për drejtësi dhe liri,” deklaruan përfaqësuesit e lëvizjes. Aktivisti studentor Nikola Lončarević konfirmoi për Euronews Serbia se pavarësisht kërkesës për zgjedhje, studentët nuk do të jenë në listat elektorale dhe se dialogu për formimin e tyre do të vijojë.

Ndërkohë, Fronti i të Gjelbërve dhe i të Majtës, një nga partitë kryesore të opozitës, i ka ofruar mbështetje të plotë lëvizjes studentore. Sipas përfaqësueses Natalija Stojmenović, “kërkesa për zgjedhje të reja parlamentare dhe për një qeveri kalimtare janë dy anë të së njëjtës medalje”.

Por koalicioni qeverisës nuk i sheh zhvillimet me të njëjtin sy. Deputeti i SPS-së, Uglješa Marković, theksoi se mazhoranca parlamentare është stabile dhe se “zgjidhja nuk është vota, por dialogu”. Ai shtoi se një cikël i plotë katërvjeçar është i domosdoshëm për stabilitet.

Kryetarja e Parlamentit, Ana Brnabić, i quajti kërkesat e studentëve “hile politike”, ndërsa presidenti i SNS-së, Milosh Vuçeviç, akuzoi protestuesit për dështimin e revolucionit dhe për tentativa për destabilizim. “Jemi të hapur për dialog, por jo për skenarë që çojnë në kaos,” tha ai.

Në anën tjetër, lideri i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq, shprehu skepticizëm për idenë e zgjedhjeve të reja, duke u shprehur se një qeveri kalimtare do të ishte alternativa më e arsyeshme për të garantuar zgjedhje të ndershme.

Në sfondin e këtyre përplasjeve, protestat masive në Beograd dhe qytete të tjera nuk po zbehen. Studentët e kanë kthyer kauzën e tyre në një simbol të një brezi që kërkon ndryshim, ndërsa opozita po e shfrytëzon momentin për të rihapur betejën për legjitimitet demokratik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco