Përpjekja e 12-të për konstituimin e Kuvendit – VV insiston në votim të fshehtë për Albulena Haxhiun, LDK propozon Qeveri Tranzicioni.
Të mërkurën në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës do të bëjë përpjekjen e 12-të për konstituim, pas 11 tentimeve të dështuara. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë qëndrimin e saj për ndryshimin e formës së votimit në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke insistuar në votim të fshehtë për kandidaten e saj, Albulena Haxhiu.
Haxhiu, e cila është propozuar nga VV për të udhëhequr Kuvendin, nuk ka arritur asnjëherë të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërsa për zgjedhje kërkohen të paktën 61. Kjo ka shtyrë VV-në të kërkojë ndryshim të formës së votimit, duke e cilësuar votimin e fshehtë si alternativë demokratike dhe zgjidhje për ngërçin politik.
Deputeti Hekuran Murati nga VV ka përmendur shembullin e Bundestagut gjerman, ku Friedrich Merz u zgjodh me votim të fshehtë për Kancelar, duke argumentuar se e njëjta formë duhet të aplikohet edhe në Kosovë për të respektuar vullnetin e lirë të deputetëve.
Por, ky propozim është kundërshtuar fuqishëm nga partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat nuk kanë pranuar të propozojnë anëtarë për Komisionin për ndryshimin e rregullores së punës.
Në përpjekje për të thyer bllokadën, kryetari i VV-së, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke i propozuar një koalicion mes dy partive për të dalë nga kriza institucionale. Por, përgjigjja e LDK-së ka qenë negative.
Në vend të kësaj, LDK ka propozuar krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit me pjesëmarrjen e të gjitha partive shqiptare parlamentare dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë. Kjo qeveri, sipas LDK-së, do të kishte një mandat të kufizuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe do të funksiononte mbi bazën e një programi dhe agjende të përbashkët.
Përballja politike pritet të ashpërsohet në seancën e nesërme, e cila mund të përcaktojë fatin e përpjekjeve për zhbllokimin e institucioneve të vendit, ose të shtyjë edhe më tej krizën politike./Syri.net Kosova
© SYRI.net