Nga Lidhja Demokratike e Kosovës i janë kundërpërgjigjur Emilija Rexhepit pas akuzave të saj se kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i përjashtoi komunitetet jo-shumicë në propozimin e tij për formimin e një qeverie të tranzicionit.
Deputeti i LDK’së, Besian Mustafa, ka thënë se është mirë që Rexhepi ta lexojë gjithë letrën, para se të lëshohet në akuza, shkruan Reporteri.net.
„Emilija Rexhepi është mirë ta lexojë të gjithë letrën, ngadalë e me kujdes, para se të postojë akuza pa asnjë bazë. Nuk hidhet posht rezoni për qefin e Albinit…“, ka shkruar Mustafa.
Ai ka ndarë edhe pjesën nga letra, ku theksohet se pjesë e një qeverie të tillë do të ishin edhe përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo-shumicë.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, ka shkruar Mustafa, teksa ka bashkangjitur letrën e Abdixhikut.
© SYRI.net