Pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij ku Kosova shënon rënie të ndjeshme në Indeksin Botëror për Lirinë e Shtypit, ka reaguar këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi.
Përmes një deklarate publike, Dalipi ka theksuar se Qeveria Kurti është më e hapura ndaj mediave krahasuar me të gjitha qeveritë e mëparshme, dhe se kjo qeveri nuk ka shpenzuar miliona euro për propagandë apo blerje të heshtjes mediatike.
“Për krahasim: vetëm përmes kontratave njëburimore, AAK shpenzonte rreth 2,900 euro në ditë për media, PDK – rreth 2,000 euro në ditë, dhe LDK – 1,400 euro në ditë. Ndërsa Qeveria Kurti i ka reduktuar këto shpenzime për propagandë në minimum,” theksoi Dalipi, raporton Syri Kosova.
Ai shtoi se shumë nga mediat që e portretizojnë qeverinë si anti-mediatike, janë pikërisht ato që kanë humbur benefite financiare nga buxheti i shtetit.
“Qeveria nuk e sheh median si armik, por as si partner në heshtje. Liria e medias nuk duhet të matet me afërsinë me qeverinë, por me distancën nga interesat financiare dhe politike,” u shpreh ai.
Dalipi gjithashtu vuri në pikëpyetje metodologjinë e raportit, duke thënë se një pjesë e konsiderueshme e zërave të përfshirë janë nga organizata të vogla individuale që varen nga donatorët ndërkombëtarë, të cilët vitet e fundit kanë reduktuar ndjeshëm financimin, përfshirë edhe USAID.
Në fund, ai theksoi se në asnjë qeveri më parë nuk ka pasur një nivel kaq të lartë të komunikimit direkt me publikun, sidomos përmes rrjeteve sociale, ku vetë kryeministri shpërndan informacion në mënyrë të drejtpërdrejtë.
© SYRI.net