Manxhuka i Vetëvendosjes: Në Kosovë ka liri absolute të shprehjes, deri në mosndëshkim absolut të shpifjes
12:56, 02/05/2025
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku në raportin e publikuar shënohet një rënie e dukshme e Kosovës në indeksin global të lirisë së medias.
Në një postim në Facebook, Manxhuka e cilësoi të pavërtetë pretendimin se në Kosovë mungon liria e shprehjes.
Sipas tij, në Kosovë ekziston një liri absolute për të shprehur mendime, madje, sipas tij, kjo liri është aq e gjerë sa që shpifja shpeshherë mbetet pa ndëshkim.
“Me thënë se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes është totalisht e pavërtetë.
Në Kosovë jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes”, ka shkruar Manxhuka.
Ai shtoi se liria e shprehjes nuk është ndaluar asnjëherë dhe nuk mund të ndalet, por sipas tij, ata që shpërndajnë të pavërteta duhet të përballen me humbje kredibiliteti.
“Por, si ky raport? E thjeshtë.
Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë.
Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”.
Për të konstatuar lirinë ose jo të shprehjes nevojitet në cilëndo natë (e hënë- e premte) me i pa “debatet televizive”. Asgjë më shumë”, ka shtuar Manxhuka në Facebook.
© SYRI.net
Lexo edhe: