Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka kërkuar që paga në sektorin privat të rritet në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe Gjykata e punës.
Në një protestë të organizuar nga kjo sindikatë, kryetari i saj Jusuf Azemi tha se nëse nuk do të rriten pagat deri me 1 shtator atëherë sektori privat do të bojkotojë punën.
[Banner]
Azemi tha se institucionet shtetërore në vend, punëtorët e sektorit privat i kanë trajtuar si skllevër.
“Kemi ardhur në një shkallë që të kërkojmë kërkesat tona. Në Kosovë po marrim pagë 232 euro, e deputetët për pesë minuta punë në seancë po i marrin 200 euro. E më e keqja nuk po e kryejnë funksionin e tyre. Punëtorët e sektorit privat i keni trajtuar si skllevër dhe një trajtim të tillë nuk ka në Evropë. Ne kemi pasur rezultate por të cilët kanë qenë ato të cilat i kemi shty me gjoks përndryshe nuk keni qenë komunikues të mirë. Edhe sot kemi punëtorë ku paguhen me 232 euro dhe pushtetarët tanë kanë shkuar në Gjermani dhe i thirrnin njerëzit me u kthye në Kosovë për pune. Që nga dita e sotme ne japim një afat deri me 1 shtator nëse paga minimale nuk do jetë 600 euro, ne në mënyrë unanime do t’i bojkotojmë dhe të mos kryejmë punën tonë, nuk po kërkojmë lluks”, tha Azemi.
[Banner]
Ndërsa njëri nga protestuesit, Hakif Sylejmani tha se 1 Maji në Kosovë nuk është ditë pushimi për punëtorët e sektorit privat.
“Do të protestojmë për të drejtat e punëtorëve, parregullsitë dhe për sakrificat e punëtorëve. 1 maj nuk është një ditë pushimi është një ditë pune që ne e rikujtojmë ditën evropiane ndërkombëtare të punëtorëve”, tha Sylejmani.
E Hafije Statovci u shpreh se një pagë prej 230 euro nuk po i len as të “vdesin e as të jetojmë”.
“Për të satën herë në vend, që në ditën e sotme të festojmë, ne duhet që të protestojmë. Për të satën herë njoftuam shtetin dhe personat përgjegjës se ne nuk po mundemi të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë punëtorët e sektorit privat marrin pagë 230 euro kjo pagë nuk po na len të vdesim por as të jetojmë”, u shpreh Statovci.
Ndërkaq, sot në orë 12:00 do të protestojnë në sheshin e Prishtinës edhe punëtorët e KEK-ut.
© SYRI.net