Nga SYRI TV
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Partitë Popullore Europiane (PPE), që përfaqësojnë forcat drejtuese të Parlamentit Europian dhe Bashkimit Europian, për rezolutën e miratuar në kongresin e mbajtur në Valencia.
Në rubrikën “Sy më sy”, Rama e cilësoi rezolutën si një “fletë-rrufe”, ndërsa kjo e fundit paralajmëronte se zgjedhjet dhe demokracia në Shqipëri janë në rrezik.
Kryeministri është shfaqur sërish i shqetësuar nga kjo rezolutë, e cila kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Brukseli zyrtar. Në dokumentin e miratuar në kongresin e PPE-së, theksohet blerja e votave nga qeveria, keqpërdorimi i burimeve publike në periudhën parazgjedhore, përndjekja e liderëve të opozitës dhe kufizimi i lirisë së medias.
Ra dje boria në një mbledhje diku në Spanjë ku ishin mbledhur partitë simotra të kënetës që u ka mbetur këneta mes tyre dhe s’dinë as ato ça të bëjnë dhe këneta kaloi nëpër tavolina një fletërrufe, siç ndodh nëpër konferencat e partive dhe aty filloi avazi. Filloi avazi mbledhje vote me lek dhe me kanabis, punësime elektorale dhe prokurorime favorizuese për mbështetësit e socialistëve, abuzime me detyrën dhe media, emërim ilegal i një kryetari të bashkisë, kërcënim dhe hetime kundra kandidatëve të opozitës. Domethënë, një mal me broçkulla" tha Rama.
Në vend që t’u përgjigjej qytetarëve që kërkojnë llogari për qeverisjen 12-vjeçare, Rama zgjodhi të sulmojë opozitën dhe strategun e fitores së Donald Trump, Chris LaCivita, i cili drejton aktualisht fushatën e Partisë Demokratike.
Rezoluta që ka vënë në alarm kryeministrin i bën thirrje BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës të:
Kërkojnë ndërprerjen e blerjes së votës dhe abuzimit me fondet publike;
Dërgojnë vëzhgues shtesë në bashkitë me rrezik të lartë;
Dokumentojnë publikisht dhe denoncojnë shkeljet zgjedhore;
Zbatojnë mekanizma kushtëzues në procesin e integrimit në BE në rast se shkeljet vazhdojnë.
© SYRI.net