As në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e ri. Kandidatura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dështoi edhe pas dy raundeve votimi.
Lidhur me seancën e sotme, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se gjatë mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk është paraqitur asnjë dokument zyrtar që dëshmon dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë Kurti.
Sipas tij, komisionit iu ofruan vetëm deklarata verbale nga ana e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, të cilat siguruan se dorëheqjet ishin bërë.
“E vërteta është që nuk janë prezantuar dorëheqjet, por ministrja [në detyrë e Drejtësisë, Albulena] Haxhiu dhe Mimoza Kusari-Lila kanë garantuar që ministrat kanë dhënë dorëheqje në mënyrë individuale. E dyta, janë deklaruar publikisht që kanë dhënë dorëheqje. Ne kemi thënë, ‘në rregull, këto gjëra që po i thoni ju do t’i evidentojmë në procesverbal të Komisionit dhe mbani përgjegjësi ligjore nëse nuk keni dhënë dorëheqje’”, tha Gruda për Radion Evropa e Lirë.
Ai theksoi se për PDK-në, këto deklarime ishin të mjaftueshme dhe kanë peshë juridike për të mos e penguar procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Ne thamë që deklarimet publike në media dhe deklarimi në komision konsiderohen të mjaftueshme dhe kanë fuqi juridike sepse edhe ashtu është jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Megjithatë, Gruda ka paralajmëruar se nëse pas marrjes së mandatit si deputet, ndonjë prej këtyre personave vazhdon të ushtrojë funksione ekzekutive, një veprim i tillë do të përbënte “shkelje kushtetuese.”
© SYRI.net