Abdixhiku mbledh deputetët e LDK’së në takim, Hoti nuk shihet

Abdixhiku mbledh deputetët e LDK’së në takim, Hoti nuk shihet

14:20, 10/04/2025

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbledhur deputetët e zgjedhur të kësaj partie për legjislaturën e re të Kuvendit.

Në fotot e publikuara nga Abdixhiku, nuk shihet deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, i cili ka ngritur shqetësim për votat me postë të mërgatës e kërkoi lidership të ri në LDK.

“Nga takimi i parë i Grupit të ri Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mes deputetëve të rinj e atyre me plot përvojë, mes zërit të 171 mijë votuesve tanë, në rrugëtimin e palëkundur për Lidhjen tonë, për Republikën tonë, për qytetarët tanë! Një zë, një shtëpi, një qëllim!  [✌️] ”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Reporteri.net kishte publikuar një seri të bisedave mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie në grupin në Whatsapp dhe Viber, ku drejtoheshin akuza për manipulim me votat e mërgatës.

Një prej tyre ishte përplasja në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.

“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

Reporteri.net e kishte publikuar edhe mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.

Abdixhiku e niste këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco