Kush është autori që pretendon se Meta mund të ketë përdorur librat e tij për të trajnuar AI

Kush është autori që pretendon se Meta mund të ketë përdorur librat e tij për të trajnuar AI

08:15, 10/04/2025

Ish-presidenti i Sinn Féin, Gerry Adams, është ndër dhjetëra autorë që pretendojnë se librat e tyre janë përdorur pa leje nga kompania e teknologjisë Meta për të trajnuar sistemin e saj më të fundit të inteligjencës artificiale, Llama. Adams e ka lënë çështjen në dorën e avokatit të tij, ndërsa shqetësimet për shkeljen e të drejtave të autorit po shtohen.

Një hetim i revistës The Atlantic ka zbuluar se Meta mund të ketë përdorur materiale të piratuara nga faqja e diskutueshme Library Genesis (LibGen) — përfshirë miliona libra dhe dokumente shkencore — si pjesë e trajnimit të sistemit gjenerues të AI. Baza e të dhënave e publikuar nga The Atlantic ka ndihmuar shumë autorë të konfirmojnë se veprat e tyre janë përfshirë në këtë proces pa dijeni apo pëlqim të tyre.

Zëdhënësi i Metës ka deklaruar se “kompania respekton të drejtat e pronësisë intelektuale dhe beson se përdorimi i materialeve për trajnim është në përputhje me ligjin ekzistues”.

Por reagimet janë të forta. Autori dhe historiani Michael Taylor e cilësoi veprimin si “vjedhjen më të madhe dhe më fitimprurëse në histori”, pasi dy nga librat e tij u gjetën në bazën e të dhënave. “Shkrimtarët kalojnë vite të tëra duke shkruar këto libra dhe shumica prej nesh nuk jetojnë dot vetëm me të ardhurat nga shkrimi,” tha ai.

Në listën e autorëve nga Irlanda e Veriut të përfshirë në skandal shfaqen edhe emra si Jan Carson, Deric Henderson, Lynne Graham dhe fituesja e çmimit Booker, Anna Burns. Ndërkohë, akademikja Monica McWilliams, e cila ka dhuruar të ardhurat nga shitjet për bamirësi, u shpreh e tronditur nga fakti që mbi 20 punime të saj janë përfshirë në trajnim pa leje. “Nëse honoraret nuk paguhen, janë vetë bamirësitë që do të pësojnë,” paralajmëroi ajo.

Meta është aktualisht përballë disa padive nga autorë që kërkojnë kompensim për përdorimin e paautorizuar të veprave të tyre. Së fundmi, një grup i madh autorësh, përfshirë emra të njohur si Kate Mosse, Val McDermid dhe Richard Osman, kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Sekretares britanike të Kulturës, Lisa Nandy, duke kërkuar masa urgjente kundër përdorimit të paautorizuar të pronës intelektuale.

“Ligji për të drejtën e autorit është i qartë: nëse dëshiron të përdorësh një vepër, kërko leje. Nëse nuk e bën këtë, po shkel ligjin,” shkroi Osman në platformën X.

Ndërkohë, Meta e justifikon veprimin me nevojën për të dhëna masive që ndihmojnë në zhvillimin e sistemeve më të avancuara të AI. Por sipas kritikëve, këto sisteme nuk mendojnë apo kuptojnë tekstin, dhe shpesh riprodhojnë gabime si fakte.

Çështja ka ngjallur debat të gjerë mbi të drejtat e autorëve në epokën e inteligjencës artificiale dhe pritet të pasohet nga zhvillime të mëtejshme ligjore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco