Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do ti propozojë sot Kuvendit emrin e kandidatit për kryeministër. Ndërkohë afati për zgjedhjen e qeverisë së re në Asamblenë Kombëtare skadon më 18 prill në mesnatë.
“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidenti i Republikës do t'i propozojë Kuvendit Kombëtar një kandidat për Kryeministër, pasi të dëgjojë mendimet e përfaqësuesve të listave të përzgjedhura zgjedhore”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Gjithashtu Vuçiç tha javën e kaluar se formimi i qeverisë së re ka si symim të kompensojë çdo gjë që ka ndodhur gjatë këtyre muajve. Ai theksoi se duhet ta kthejmë sigurinë në shtëpitë tona, fëmijët në shkolla dhe Serbinë duhet ta kthejmë në rrugën e suksesit dhe fitoreve që i kemi pasur të panumërta në vitet e kaluara.
“Nuk kam dashur të kem ndikim vendimtar, përveçse u kam thënë se cilat janë detyrat e rëndësishme para qeverisë së ardhshme, çfarë duhet të bëjë ajo qeveri, sa duhet të bëjë, sa duhet të kompensohet gjithçka që kemi humbur në muajt e terrorit”, tha Vuçiç.
Autoritetet serbe janë përballur me në sërë protestash që nga nëntori i vitit të kaluar, kur shembja e një çatie në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 15 personave. Shumë qytetarë e fajësojnë korrupsionin për këtë tragjedi, pasi Vuçiç kishte përuruar renovimet e stacionit në 2022.
Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad dhe transparencë nga institucionet. Deri më tani, mbi dhjetë persona janë akuzuar për shembjen e çatisë. Pasi protestat u masivizuan në të gjithë vendin, Kryeministri Milosh Vuçeviç dha dorëheqjen, çka detyroi partinë e Vuçic të shkojë drejt formimit të një qeverie të re.
© SYRI.net