Një grup ekspertësh të caktuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ka publikuar udhëzime të reja mbi ekspozimin e fëmijëve ndaj ekraneve dhe pajisjeve dixhitale. Sipas raportit të tyre, fëmijët nën tre vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, ndërsa ata deri në gjashtë vjeç mund të kenë akses në ekran, por në mënyrë të kufizuar.
Ekspertët kërkojnë gjithashtu masa më të rrepta për përdorimin e celularëve tek fëmijët. Ata rekomandojnë që fëmijët nën 11 vjeç të mos lejohen të mbajnë celular, ndërsa për ata deri në 13 vjeç, pajisjet nuk duhet të kenë akses në internet. Përsa i përket mediave sociale, paneli rekomandon ndalimin e tyre për fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa adoleshentët mbi këtë moshë duhet të përdorin vetëm platforma etike, si Bluesky.
Raporti thekson se mediat sociale mund të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të të rinjve, duke rritur rrezikun e ankthit dhe depresionit. Gjithashtu, ekspertët paralajmërojnë për ekspozimin alarmues të fëmijëve ndaj përmbajtjeve të dëmshme, si pornografia dhe dhuna.
Përfundimet e panelit tregojnë se ka një konsensus të qartë mbi efektet negative që sjell ekspozimi i tepër ndaj ekraneve. Sipas tyre, koha e kaluar në pajisjet dixhitale ndikon jo vetëm në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, por edhe në të ardhmen e civilizimit dhe shoqërisë sonë.
© SYRI.net