As Lutfi Haziri “s’ka koment” për akuzat e Shkëmb Manajt në grupin në WhatssApp-it të kryesisë së LDK-së

As Lutfi Haziri “s’ka koment” për akuzat e Shkëmb Manajt në grupin në WhatssApp-it të kryesisë së LDK-së

13:30, 29/03/2025

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po dëshirojnë të komentojnë  përmbajtjen e mesazhit të kandidatit për deputet të kësaj partie, Shkëmb Manaj, të cilin e publikoi dje Gazeta Online Reporteri.net i cili e dërgoi me 3 mars 2025 në grupin e komunikimit të brendshëm, në “WhatsApp”, të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, ku akuzoi bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.

Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili nuk ka dashur të flas për akuzat e bëra nga Manaj.

“Nuk kam koment”, ka thënë shkurt Haziri për Reporteri.net duke mos dashur fare të flas për këtë çështje.

Para tij, njëjtë është përgjigjur edhe deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Arben Gashi.

“S’kam koment”, është përgjigjur Gashi, përmes një mesazhi për Reporteri.net.

Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, por ai nuk është përgjigjur as në thirrjen telefonike, por as në mesazhin që i është dërguar.

Kujtojmë se pakënaqësitë e tij Hoti i shfaqi në një reagim publik më 18 mars 2025.

“Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë…Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite”, shkroi Hoti në Facebook.

Reporteri.net ka tentuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga disa anëtarë të tjerë të Kryesisë së LDK-së.

Anton Quni, Rrezarta Krasniqi e Besian Mustafa, nuk janë përgjigjur në thirrjet tona.

Kujtojmë se Shkëmb Manaj në mesazhin e tij për anëtarët e kryesisë së LDK-së thotë se e njoftoi kryetarin për manipulimet e procesit zgjedhor brenda listës zgjedhore të partisë, me theks të veçantë në votimet me postë.

Akuzat e Manajt të 3 marsit 2025, në grupin në “WhatsApp”, por edhe ato që u thanë në mbledhjen e 10 marsit të kryesisë së LDK-së, u mbështeten edhe nga deputeti Abdullah Hoti e Arben Gashi, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

Nga ana tjetër, për akuzat e Manajt në “WhatsApp” por edhe pretendimet tjera të ngritura për manipulim të votave të Diasporës u njoftua edhe Prokuroria e Shtetit e cila më 26 mars 2025 ka konfirmuar se ka filluar hetimin.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve. Mirëpo, në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse mund të cenohet procesi hetimor”, njoftoi të mërkurën Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se pjesë e dosjes tashmë është edhe mesazhi i brendshëm i Manajt, që ka rrjedhë në duart e Prokurorisë së Shtetit. Për këtë është në dijeni edhe vetë Shkëmb Manaj, ndonëse thotë se nuk është ftuar ende për intervistim rreth pretendimeve.

“Jo nuk jam ftu ende [për intervistim]”, tha për Reporteri.net nënkryetari i ri i Prishtinës.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Manaj ka marrë 17 mijë e 305 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Pos brenda LDK-së, akuza për manipulim me votat e Diasporës ka ngritur edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila pasi ka humbur betejat e saj për këto vota në PZAP e Gjykatë Supreme, të enjten i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco