Ka përfunduar aksioni policor në 21 lokacione në veri dhe jug të Mitrovicës, kundër krimit të organizuar.
Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, i cili bëri të ditur se në këtë aksion janë arrestuar 16 persona. Preteni gjithashtu njoftoi se me vendim të prokurorit, 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.
Lidhur me rastin detaje ka dhënë Baki Kelani, drejtor i Zyrës për Informim në PK. Kelani tha për Klankosova.tv se cak i këtij operacioni policor janë kontranduesit e armëve dhe municionit.
“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë dy rajone të Kosovës, atë DRP Mitrovicë Jugu dhe DRP Mitrovicë Veri. Operacioni policor ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani.
© SYRI.net