Detaje të reja dalin nga ngjarja tragjike e ndodhur të dielën në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku 59 persona humbën jetën në një lokal nate.
Gazetari Nevri Ademi, tha në edicionin e paradites në SYRI TV, se këtë të hënë ka humbur jetën edhe shoferi i ambulandës që transportoi trupat e djegur të të rinjve nga klubi i natës që u përfshi nga flakët.
Më tej, Ademi tha se lidhur me këtë ngjarje tragjike, grupi hetimor tashmë i zgjeruar deri në 6-7 prokurorë, po kryen veprimet në vendin e ngjarjes.
Nevri Ademi: Ngjarja ka qenë shumë e rëndë. Ajo çfarë na kanë parë sytë ditën e djeshme ka qenë me të vërtetë e tmerrshme. Para pak minutash kam konfirmuar dhe është ekskluzive për ju, është që edhe shoferi i ambulancës i cili gjatë gjithë ditës ka transferuar të rinjtë që ishin djegur në diskotekën në Koçan, ka ndërruar jetë.
Është një informacion që e bën edhe më tragjike ngjarjen dhe vërteton se sa tragjike ka qenë e gjithë kjo situatë. Është zgjeruar grupi i hetimit, ku 6-7 prokurorë po kryejnë hetime ku thuhet se shihet gjithë mënyra se si ka ardhur ngjarja, e deri tek licenca e klubit që kryeministri deklaroi se mund të ishte një licencë jovalide dhe e falsifikuar.
Gjithsej 20 persona janë marrë në pyetje nga Policia deri në këto momente, ndërkaq për 10 prej tyre po zhvillohet seanca gjyqësore.
© SYRI.net