Të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të hënën në shqyrtimin fillestar para Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për spiunazh.
“Plotësisht jam i pafajshëm”, deklaroi Shabani.
Kurse, i akuzuari tjetër Muharrem Qerimi e pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.
“Nuk e pranoj për veprën penale të spiunazhit, e për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.
Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.
© SYRI.net