Ish-diplomati amerikan, James Hooper, ka deklaruar se gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Pa ndodhur kjo, sipas tij, do të ishte rrezik që SHBA-ja të përfshihej në përpjekjet e Kosovës për të arritur marrëveshje me Serbinë.
“… sepse, shikoni, Shtetet e Bashkuara nuk po i ndihmojnë Ukrainës. Tash kur ato janë përfshirë në [zgjidhjen e atij konflikti], ato janë rreshtuar në anën e autokratit, në anën e Rusisë, e jo në anën e demokracisë së vërtetë”, thotë Hooper në intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Shtetet e Bashkuara i kanë tërhequr disa herë vërejtjen Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për shkak të disa veprimeve – që ato i kanë konsideruar si të pakoordinuara – në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin dhe të mos i japë leksione Uashingtonit”, thotë njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Hooper.
Sipas tij, “është shumë e rrezikshme për Kosovën kur amerikanët e shohin atë si problem”./Radio Evropa e Lirë
© SYRI.net